Sali Berisha: Vuçiqi një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se qëndrimi i NATO-s për paralajmërimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq duhet përshëndetur.
Lidhur me situatën në veri, ku partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet shtetërore, Berisha ka shkruar në “Facebook” se urdhri është dhënë nga Vuçiq.
“Partia Demokratike mbështet plotësisht dhe përshëndet qëndrimin e NATO-s si dhe dënon me ashpërsinë më të madhe përpjekjet e ‘Putinit të vogël’ për të ndezur konflikt të ri në rajon. Ajo paralajmëron serbo-madhin Vuçiq se ëndrrat e tij të ‘Serbisë së Madhe’ janë varrosur njëherë e përgjithmonë në Kosovë dhe se ndaj çdo akti agresioni të tij, shqiptarët do të reagojnë si komb i vetëm”, ka shkruar Berisha.
Berisha ka theksuar se Vuçiq e ka vendin në Hagë, pasi është një rrezik serioz, i pakorrigjueshëm, për paqen dhe stabilitetin në rajon.