Sali Berishës i shpërbëhet “koalicioni” para zgjedhjeve, përplasen fizikisht në sallën e Kuvendit Flamur Noka dhe Agron Shehaj

19 dhjetor 2024 | 21:22

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj njoftoi ndarjen përfundimtare me Partinë Demokratike.

Një hallkë e mundshme e koalicionit opozitar u këput të enjten pas një seance plenare të tensionuar në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Mes deputetëve të opozitës Flamur Noka dhe Agron Shehaj u regjistrua një përplasje fizike pikërisht në foltoren e parlamentit.

Prej disa orësh, ligjvënësi Shehaj po protestonte në sallën e Kuvendit, duke kërkuar fjalën për procedurë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike u afrua më pas te foltorja për të marrë fjalën, por atje ndodhej Shehaj.

Në këtë moment, Noka shtyu forcërisht Shehajn duke e larguar nga foltorja.

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali e kishte përjashtuar më herët deputetin opozitar Agron Shehaj nga seanca e 19 dhjetorit.

Pikërisht, pas këtij incidenti, kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj njoftoi ndarjen përfundimtare me Partinë Demokratike.

“Kisha një raport që fatkeqësisht u prish. Mesa duket nuk ishin dakord që unë të bëja opozitën e vërtetë, të flisja për aferat e vërteta, një skandal i jashtëzakonshëm, 1.3 miliardë euro. Me kaq para mund të rriten pensionet, vendoset minimumi jetik. Ata vendosën që për këtë skandal të mos flitet. Rrugët tona ndahen”, theksoi fillimisht Shehaj.

Ai solli në vëmendje gjatë deklaratës para mediave, se atë që nuk e bëri Edi Rama për tre orë rresht, “e bëri një përfaqësues i opozitës”, referuar largimit me forcë nga foltorja.

Por kjo ndarje deklarative e një koalicioni të mundshëm mes forcave opozitare, erdhi pikërisht një javë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i konsideroi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 si “emergjente”.

Ish-kryeministri deklaroi se Partia Demokratike do të garonte në zgjedhjet e 11 majit “në koalicion me çdo parti që beson te largimi i qeverisë Rama”.

“Koalicion me të gjitha ato forca politike që besojnë se Edi Rama po bën të keqen më të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, që besojnë se largimi i 40 për qind të shqiptarëve vetëm në Shengen përbën një genocid të vërtetë ndaj popullit shqiptar sepse është e kalkuluar”, shprehej kryedemokrati.

Përpos Partisë së Lirisë, Berisha linte të hapur mundësinë për koalicion edhe me figura si Agron Shehaj (Mundësia), Adriatik Lapaj (Shqipëria Bëhet) apo Endri Shabani (Nisma Thurje).

Për të, kriteri themelor ishte rrëzimi i qeverisë aktuale të cilën nuk hezitoi ta quante “narko-shtet”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se sondazhet…