Sali Bislimi: PLK-ja do të angazhohet që Kosova të integrohet në BE
Partia Liberale e Kosovës (PLK) ka shënuar 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në një takim me Kryesinë, Këshillin Kombëtar dhe kryetarët e degëve.
Sali Bislimi përfaqësues i PLK-së për Diasporë ka thënë se ky subjekt politik me rastin e dhjetëvjetorit të shtetësisë nderon gjithë dëshmorët e kombit.
Ai ka thënë se PLK-ja nuk do të lejojë që fatin e Kosovës ta drejton era, por do të angazhohet në të gjitha format që Kosova të integrohet në vlerat euroliberale. “Ky destinacion është i vetmi objektiv që i bashkon shqiptarët”, ka thënë Bislimi.
Në këtë takim mori pjesë edhe lideri i kësaj partie, njëherësh zëvendësministër i punëve të jashtme, Gjergj Dedaj, i cili foli për ecurinë dhe zhvillimin e PLK-së.
Dedaj ka paralajmëruar se PLK-ja veçse po fuqizohet në skenën politike, si dhe ka bërë me dije se Kongresi i tetë i kësaj partie do mbahet më 27 tetor të këtij viti.