Sali Çekaj, jurist, politikan, diplomat, ushtarak, vizionar…

19 prill 2018 | 10:44

Shkruan: Musa Gjakova

19 Prilli dita e rënjës së  heroit të kombit Sali Çekaj – Veterani njëherit edhe dita e veteranëve të luftës së Koshares. 

Sali Çekaj ishte figurë poliedrike, ku personaliteti i tij ngërthen vlerat tradicionale të vulosura nga oda me fjalët burrërore e të urta shqiptare por edhe një profil me cilësitë moderne të fituara nga studimet dhe kontaktet më njerëz të ngritur botëror.  

Përvoja e tij si jurist, politikan i denjë por edhe diplomat ku veproj në Gjermani, “Veterani” nuk hezitoj për të vepruar si ushtarak, në  veçanti në Betejën  e Koshares ishte kurora e lavdisë së jetës dhe veprës së tij…

Aktiviteti i tij njihet me guximin për të jetësuar Kushtetutën e Kaqanikut ku fuqishëm qëndroi në mbrojtje të të gjitha veprimeve që kundërshtonin sundimin e administratës diskriminuese serbe të asaj kohe në Kosovë, deri tek mobilizimi i diasporës dhe kontributi në organizimin e strukturave ushtarake në kuadër të UÇK-së.  

Kur po përgatitej Kuvendi i Kosovës, Sali Çekaj inkurajoj shokët e vet delegat që të hartonin dhe shpallnin Deklaratën e Pavarësisë. Pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut Sali Çekaj më Rrustem Bruqin dhe shokët e tij jurista hartuan statutin e komunës në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut. 

Deçani ishte komuna e vetme në Kosovë që kishte statutin, që përfaqësonte interesat e popullit të vet.                                Për shkak të aktivitetit të tij të dendur patriotik, prokuroria serbe kishte lëshuar fletë arrest për Sali Çekaj.

Sali Çekaj, padyshim është ndër figurat më kohërente dhe ndër prijëtarët e UÇK-së.  Organizator i ushtrimeve përgatitore ushtarake, së bashku me KOMANDANT Adem JASHARIN, heroin e kombit Zahir Pajazitin dhe me 34 shokë në grup në Shqipëri gjatë viteve 1990-1991.

Kjo analogji ndriçon të vërtetën se në grupin e të ushtruarve në Shqipëri, konsiderohej si themelimi i njësiteve të para të armatosura të mbrojtjes së Kosovës si dhe themelues të qendrës së parë stërvitore për përgatitjen e ushtrisë së Kosovës, fillimisht për luftë guerile e më vonë për luftë të rregullt.

Pas përgatitjeve të para të nevojshme, në vitin 1991 Salihu u inkuadrua menjëherë dhe më grupin e parë shkoi në Shqipëri ku së bashku më  34 shokë të uniformuar  dhe të armatosur kaluan kufirin dhe futen në Kosovë duke sjellë armatim edhe për 30 luftëtarë të tjerë.

Në Shqipëri themeloi dhe konsolidojë infrastrukturën teknike të qendrave stërvitore ushtarake në rrethin e Tropojës si; Viçidol, Kullat e Berishës, Papaj, Babinë, Rragam. 

Sali Çeku ishte njeri që gëzonte respektin dhe besimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë, sikur edhe veprimtarëve patriotë dhe intelektualë në Kosovë dhe në diasporë. Në Kosovë, u rikthye në qendrat e Prapaçanit, Lug të Baranit me themelimin e të cilave ishte marrë vetë.

Mori përsipër strukturimin dhe udhëheqjen strategjike të brigadave. 

U mor për së afërmi me riorganizimin e forcave në qendrën stërvitore ushtarake Papaj dhe strukturimin e forcave te brigades 131, brigades 134 qe komandonte vet dhe forcat komando Delta, në Grupin Operativ 3, me mision heqjen me luftë të kufirit mbi parimin “lufta çlirimtare fillon në njërin skaj të kufirit dhe përfundon në skajin tjetër me lirinë e plotë të vendit”.

Për të lufta ishte e shqiptarëve dhe për shqiptarët, pavarësisht rajonit apo pikëpamjeve të tyre ideologjike-politike. Shqiptarët atëbotë kishin një parti, UÇK-në, dhe bënin një politikë, luftën për çlirimin e vendit. Për këtë arsye, ai ishte dhe do të mbetet një figurë e rrallë, frymëzuese, pajtuese, unifikuese e çështjes kombëtare. 

Është figura më emblematike që shquan këto vlera supreme të një kombi që synoi dhe arriti lirinë. Do të mbahet mend përherë si njeri, i cili bashkëpunoi me të gjithë njerëzit të cilët ishin të gatshëm të ndihmonin luftën heroike në kërkim të lirisë. Ishte Sali Çekaj ai i cili do të kujtohet përherë si një njeri i cili besonte se harmonizimi i forcave të gatshme të UÇK-së në të gjitha rajonet e Kosovës do të përbënte armën e fitores së madhe ndaj okupimit të Serbisë.

Lufta e Koshares do të mbetet një nga faqet e ndritura të historisë më të re të Kosovës. Lufta e Koshares do të mbetet përherë vulë e trimërisë së pashembullt të projektuesve dhe trimave si Sali Çeku, Agim Ramadani, Abaz Thaqi, KOM. Xhemajl Fetahu e 113 dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Sali Çekaj “Veterani” me bashkëluftëtaret e tij do të na shërbej si udhërëfyes i fuqishëm për gjeneratat se si punohet dhe luftohet për atdhe dhe se si duhet atdheu.

I PËRJETSHËM QOFT KUJTIMI  PËR  HEROIN SALI H ÇEKAJ!

Lavdi jetës dhe veprës së Heriot të Kombit Salih Çekaj.

(Autori është bashkëluftëtar i “Veteranit”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu,…