Sali Çeku, simbol i ndërgjegjes kombëtare, një burim frymëzimi për brezat që vijnë

19 prill 2025 | 13:57

Nga: Hisen Berisha

(19 Prilli – Dita e rënies së Heroit të Kosovës, Sali Çeku – “Veterani”
Dita e Veteranëve të Betejës së Koshares)
Më 19 prill 1999, në kulmin e Betejës së lavdishme të Koshares, ra dëshmor komandant Sali Çeku – jurist, oficer karriere dhe vizionar i çlirimit e bashkimit kombëtar. Rënia e tij nuk ishte vetëm një akt trimërie ushtarake, por një shkrirje e plotë e jetës me idealin: lirinë dhe ribashkimin e atdheut.
Sali Çeku nuk ishte thjesht luftëtar. Ai ishte ideatori dhe hartuesi i konceptit strategjik të luftës çlirimtare. Pas përballjeve të para guerile në vitin 1998, u pa se duhej ndryshuar koncepti dhe doktrina e luftës nga ajo guerile në atë frontale – nga njëra anë e kufirit në tjetrën, me synim lirinë dhe heqjen me forcën e armës së kufirit në mes shqiptarëve si konstrukcion i padrejtësisë historike.
Ky koncept i ri operacional, i formësuar përmes përvojës dhe vizionit ushtarak, u mbështet fuqimisht nga vetë Çeku dhe u implementua në qendrat stërvitore të UÇK-së, ku ai koordinoi përgatitjen e luftëtarëve për mision, në bashkëveprim me oficerët e brigadave 131, 134 që ai vetë i komandonte, dhe njësi të tjera luftarake. Ky koncept u bë realitet në Betejën e Koshares, e cila u përgatit nga shtabi i avancuar i GO3 dhe ishte ndër drejtuesit e betejës në vijat e frontit, bashkë me bashkëluftëtarët e tij, që edhe vetë i përgatiti.
Veterani – Dëshmor e Hero si autoritet shumëdimensional, po t’i qasemi si kryetar i Komunës së Deçanit, ishte i vetmi që zbatoi Kushtetutën e Kaçanikut, duke e përfshirë si akt politik e juridik në statutin komunal, ndërkohë që misioni i shenjtë që iu ngarkua ta zhvillonte e për të cilin intensivisht punonte, ishte të ndërtonte themelet e mbrojtjes së armatosur të qytetarëve.
Si oficer në rezervë me graden kapiten, i përgatitur në fushën e sigurisë dhe i emëruar nga marrëveshja ndërmjet presidentëve Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia, ai u bë koordinator i organizimit të dërgimit të të rinjve kosovarë për stërvitje në Shqipëri. Ai ishte ura mes përgatitjes dhe betejës, ndërgjegjes dhe aksionit, ndërmjet idealeve kombëtare dhe realitetit të luftës për çlirim.
Që në ditët e para të organizimit të UÇK-së, Sali Çeku, përkrah me Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Sadri Zenelin e shumë heronjve që shkrinë jetën për lirinë, e filluan luftën për liri, të cilën nuk e ndali deri në frontin e lavdisë në Koshare, ku luftoi e ra bashkë me Agim Ramadanin, Abaz Thaçin, Ali Hasin, Xhemajl Fetahun dhe shumë të tjerë.
Pseudonimi i tij i luftës – “Veterani” – nuk ishte zgjedhur rastësisht: ai ishte me të vërtetë veterani i çështjes kombëtare, që nga themelet e saj në shekullin XX, deri te përballja përfundimtare për çlirim.
Por më shumë sesa një ushtarak, Sali Çeku ishte një figurë e mendimit politik shqiptar që nuk e pranonte kufirin mes shqiptarëve si legjitim.
Ai i përkiste brezit të rilindasve të rinj, që besonin se Kosova është pjesë e trungut të ndarë shqiptar, jo një entitet i ndarë politik. Trashëgimia e tij lidhet me filozofinë e Abdyl Frashërit, Hasan Prishtinës dhe Mit’hat Frashërit – një vizion që lirinë e mendonte vetëm të plotë, me bashkimin si mision historik.
Lëvizjet e tij nga Drenica në Tropojë, nga Juniku në Valbonë, e përshkruajnë atë si njeri që e jetonte realitetin e bashkimit.
Ai nuk pranonte që shqiptari të mbetej i ndarë në kufij të imponuar. Kjo e bënte Sali Çekun më shumë se një luftëtar e komandant: e bënte simbol të ndërgjegjes kombëtare, një burim frymëzimi për brezat që vijnë.
Sot, dëshmori Sali Çeku – Hero i Kosovës dhe Hero i Kombit, prehet në Kompleksin Memorial të Betejës së Koshares, përkrah 113 Dëshmorëve të Lirisë – në altarin e pavdekësisë ku fillon historia moderne e Kosovës së lirë.
19 Prilli është datë e dyfishtë: përvjetori i rënies së një prej heronjve më të mëdhenj të kombit dhe Dita e Veteranëve të Betejës së Koshares – ata që guxuan të përballen me të pamundurën dhe e kthyen atë në fitore për të gjithë ne.
Lavdi e përjetshme për Heroin e Kosovës, Sali Çeku – “Veteranin”!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të lirisë!
Nderim përjetë për të gjithë bashkëluftëtarët dhe veteranët e pavdekshëm të Koshares!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka…