Sali Murati zgjedhet kryetar i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni
Gjykatësi Sali Murati është zgjedhur në krye të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Ai do ta ushtrojë këtë detyrë nga 1 nëntori, atëherë kur kryetarit të deritashëm të kësaj gjykate, Nikolla Ivanovski i mbaron afati.
Murati është i lindur më 11 tetor të vitit 1966 në Vrapçisht të Gostivarit. Ai është i përkatësisë etnike turke dhe ka diplomuar pranë Universitetit të Beogradit në vitin 1991, kurse provimin e jurisprudencës e ka kaluar në vitin 2005.
Nga viti 1993 deri në vitin 2005 ka punuar në Byronë për shërbime juridike dhe ekonomike, Gostivar si jurist i diplomuar.
Nga viti 2005-2012 ka punuar si avokat në Gostivar. Që nga diplomimi, është marrë me problematikën juridike në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtat e pakicave, lirinë e mendimit dhe fesë dhe të drejtën ndërkombëtare private. Ka marrë pjesë në mbi 15 konferenca ndërkombëtare me përmbajtje juridike në disa vende të jashtme.