Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm ndaj aktakuzave të Speciales
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura ndaj tij nga Gjykata Speciale.
Në fjalimi e tij para Speciales, Mustafa të mërkurën është shprehur i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.
“Duke qenë thellë i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme, sepse regjimi i gjatë në përmasa gjenocidiale i Sllobodan Millosheviqit si dhe pas luftërave të përgjakshme të këtij kasapi, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë zgjidhje”, ka thënë Mustafa.
Seanca e radhës ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale pritet të mbahet në dhjetor. Kështu janë dakorduar palët.
Në këtë seancë është diskutuar edhe për çështjet teknike, ndërsa po ashtu edhe për fazën se ku gjenden hetimet e prokurorisë e po ashtu të mbrojtjes.
Avokati i Mustafës, Julius Von Bonne ka thënë se hetimet janë bërë më të vështira për shkak të situatës me Covid-19, veçanërisht në Holandë.