Salih Mustafa sqarohet, i redaktohet deklarata
Disa herë, Salih Mustafa reagoi shpërfillshëm ndaj rregullave të speciales.
Megjithëkëtë të martën në ditën e tretë të gjykimit që po zhvillohet ndaj tij tha se qëllimin nuk e ka të keq.
“E nderuara zonja gjykatës faleminderit për mundësinë që ma dhatë për tu shprehur.
Që në fillim po them se as dëshira ime e as qëllimi im nuk është që të mos ju respektoj ju dhe panelin e kësaj gjykate por as zonjën avokate që është ulur atje përballë sepse nuk është as në bindjen time e as në kulturën time. Por kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi. Pas 12 muajve paraburgim (përmbajtje e redaktuar).”
Kështu u deklarua ish komandant Cali në nisje të seancës por trajtimi gjatë vitit të parë i mbyllur nuk iu servua i plotë publikut. Në afër 30 minutat e ardhshme seanca ishte e mbyllur për publikun. Njësoj edhe deklaratat e dëshmitarit të parë kundër ish komandant Calit, marrja në pyetje e të cilit vazhdoi edhe të martën.
Prokurori, Cezary Michalczuk i shfaqi imazhe të kompleksit të ndalimit në Zllash, dhe dëshmitarit iu kërkua t’i shpjegojë.
“Në atë që po shihet 2 kat, e ka podrumin poshtë, unë kom nejt në podrum.”
Për deklaratën se në katin e dytë bëheshin tortura, nuk është më i sigurt.
“Me fol drejt, me thanë ai veni nalt osht une i kom pas sytë e mbyllur e skom pa kurgjo, po me siguri qaj osht nalt.”
Viktima, qendrën e ndalimit dikur para hetuesve të UNMIK-ut e kishte skicuar edhe vetë. Me dorë shkroi një emër.
“Dëshmitari: Ky është emri i të akuzuarit. Emrin kom thanë s’du me ia përmend në jetë. Prokurori: të kuptova. Këtë vizatim e ke nda në dysh, nga ana e djathtë ke shkru Fatmir Sopi, në anën tjetër emri i të akuzuarit. Po ky vizatim cfarë tregon a mund tua thuash gjykatës?
Dëshmitari: këta dy emrat janë diku në afërsi 1km larg njani tjetrit. Dmth në anën e djathtë jon kanë ushtria, e këtu janë kanë policia ushtarake.” Dëshmitari 03593 u pyet edhe për lëndimet në Zllash, për çka kërkon dëmshpërblim.
“Këtë dorën e kom të thyme në 3 vena, ktu, ktu, ktu, që m’kanë rrah, pastaj nuk e kom ditë momentalisht ka ba vaki ni ditë i kom pi 10 kafetina, kokrra të kresë se nuk e kom ditë deri sa kom shku mas disa mujve e kom shku te mjeku mka thanë duhna me u ba operacion shkaku i rrahjes, gishtin e kom të thym, dhomt e thym krejt trupin e kom të llomit.”
Deklaroi 03593-ta. Pas 7 orësh marrje në pyetje nga Prokuroria të martën shqiptari u pyet edhe nga mbrojtësja e viktimave që u zhvillua në seancë të mbyllur. Derisa pyetjet e para të avokatit të Mustafës për 37 minuta e 51 sekonda ishin të gjitha publike.
Pyetjet fillestare të Julius von Bonne ishin pak a shumë si të prokurorit në ditën e parë, përshkrim i arrestimit e lirimit gjatë të cilave dëshmitari shfaqi sërish pasiguri.