Salih Mustafa zgjedh të mos deklarohet para trupit gjykues, Specialja pritet ta shpall aktgjykimin

15 shtator 2022 | 18:58

Salih Mustafa nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të folur në fund të procesit gjyqësor kundër tij në Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse nga të gjitha palët, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka thënë turpit gjykues se nuk do të flas meqë sipas tij i ka thënë të gjitha në fillim të këtij procesi.

Kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veltd Foglia ka kërkuar nga Salih Mustafa që të konfirmojë qëndrimin e tij se nuk do të përdorë të drejtën për të folur i fundit.

“Po zonja gjyqtare, nuk do ta shfrytëzoj këtë të drejtë për shkak se jam i bindur se i kam thënë të gjitha në fjalën time hapëse që iu kam drejtuar panelit”, ka thënë Salih Mustafa.

Me këtë ka përfunduar seanca në cilën janë dëgjuar deklaratat përmbyllëse nga palët.

Mbrojtja e Salih Mustafës ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që prokuroria ka ngritur mbi të, ndërsa kjo e fundit të martën i ka kërkuar trupit gjykues që Salih Mustafën ta dënojë me 35 vjet burgim.

Ndërsa, mbrojtësja e viktimave ka kërkuar nga trupi gjykues të urdhërojë Mustafën të paguajë zhdëmtim viktimave që pretendohet të jenë në këtë çështje, individualisht.

Në bazë të Rregullores, vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, dhe në të mund të përfshihet edhe një vendim sipas nenit 22(7) të Ligjit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
David De Gea është në fund të kontratës së tij,…