Salihu: Bashkësia ndërkombëtare nuk pati kontroll sa duhet ndaj EULEX-it

04 dhjetor 2017 | 16:07

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë  se në Kosovë nuk janë duke u luftuar krimi dhe korrupsioni.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se në këtë aspekt ka dështuar edhe drejtësia vendore, edhe ajo ndërkombëtare.

“Në përgjithësi kriminaliteti nuk është duke u luftuar si duhet dhe sa duhet, posaçërisht korrupsioni. Korrupsioni i nivelit të ulët po luftohet gati me sukses, pra po luftohen personat që korruptohen për 10, 50, 100 e 200 euro. Ndërsa korrupsioni i madh, ku përfshihen edhe miliona euro, nuk po luftohet. Nuk e di ndonjë rast që dikush prej këtyre pushtetarëve që janë bërë milionerë është proceduar, është hetuar si dhe është dënuar”, ka theksuar Salihu, duke shtuar se përgjegjësia kryesore bie mbi misionin e EULEX-it, i cili ka pasur për obligim hetimin, luftimin dhe dënimin e kryerësve të veprave penale.

Pavarësisht prej të metave, ai ka thënë se prania ndërkombëtare do të jetë e pranishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë edhe pas vitit 2018. “Pavarësisht prej të gjitha të metave, përpara prania e UNIMIK-ut dhe tash e EULEX-it është e domosdoshme. Po të mos ishte prania e tyre, gjendja në Kosovë do të ishte edhe më e keqe. Madje edhe pas vitit 2018 do të vazhdojë prania e ndërkombëtarëve në sistemin e drejtësisë”, është shprehur Salihu.

Ai ka thënë se pa drejtësi të mirëfilltë Kosova nuk do të ketë jetë normale, përparim dhe zhvillim. Sipas tij, pa sistem të mirëfilltë të drejtësisë Kosovës do t’i zihet fryma. “Duhet të ketë një klimë të volitshme politike dhe të procedohet çdo person që e shkel ligjin, edhe në rastin kur ai është ministër apo kryetar shteti. Ky duhet të jetë synimi dhe patjetër duhet të arrihet ky synim, në të kundërtën Kosova nuk mund të ecë. Pa sistem të mirëfilltë të drejtësisë Kosovës do t’i zihet fryma. Pa drejtësi të mirëfilltë Kosova nuk do të ketë jetë normale, përparim dhe zhvillim”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka folur edhe për punën e Gjykatës Speciale, me ç’rast ka thënë se asnjë i pafajshëm nuk do të dënohet nga kjo gjykatë. “Unë besoj se Gjykata Speciale do të ketë sukses. Askush i pafajshëm nuk do të dënohet nga Gjykata Speciale. Mund të lirohet dikush në mungesë të provave, por të dënohet dikush pa faj nuk mund të ndodhë. Aty janë të instaluara garancitë maksimale të drejtësisë”, ka thënë Salihu.

“Epoka e re”: Z. Salihu, nga 3 deri më 9 dhjetor do të mbahet Java Kundër Korrupsionit në Kosovë. Përveç këtyre aktiviteteve dhe deklaratave, mendoni se është duke u luftuar korrupsioni në vendin tonë?
Salihu: Në përgjithësi kriminaliteti nuk është duke u luftuar si duhet dhe sa duhet, posaçërisht korrupsioni. Korrupsioni i nivelit të ulët po luftohet gati me sukses, pra po luftohen personat që korruptohen për 10, 50, 100 e 200 euro. Ndërsa korrupsioni i madh, ku përfshihen miliona euro, nuk po luftohet. Nuk e di ndonjë rast që dikush prej këtyre pushtetarëve që janë bërë milionerë është proceduar, është hetuar si dhe është dënuar. Gjatë këtyre 3-5 vjet shumica e pushtetarëve kanë bërë një pasuri të madhe. Unë punoj që 50 vjet me një pagë të mirë dhe nuk e kam as 10 për qind të pasurisë së tyre.

“Epoka e re”: Përveç drejtësisë vendore, korrupsioni nuk është luftuar as nga drejtësia ndërkombëtare. Deri më tani EULEX-i nuk ka arritur të ketë ndonjë sukses në këtë drejtim.
Salihu: Drejtësia ndërkombëtare, që është instaluar këtu, me hetues, policë, prokurorë dhe gjyqtarë përpara UNMIK-u e pastaj EULEX-i, ka dështuar në zbulimin, hetimin, gjykimin dhe dënimin e kryerësve të veprave penale të korrupsionit. Ky është një dështim i madh i drejtësisë ndërkombëtare, por edhe i drejtësisë vendore. EULEX-i posaçërisht ka pasur kompetencë t’i gjykojë krimet serioze, sepse tek kjo kategori hyjnë edhe krimet për korrupsion që kapin shifra të larta.

“Epoka e re”: Cilat janë arsyet e dështimit të EULEX-it në Kosovë?
Salihu: Përpara UNMIK-u, tash EULEX-i, është i nevojshëm, i dobishëm dhe i domosdoshëm pavarësisht prej të metave që i kanë. Ata vijnë prej vendeve të ndryshme të Evropës dhe nuk e kanë përkushtimin dhe idealin për ta luftuar krimin dhe korrupsionin sikur në vendin e tyre. Më vjen keq që bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht BE-ja, ka shpenzuar shumë para, por suksesi i tyre është i vogël. Ka të arritura, por në krahasim me shpenzimet që janë bërë si dhe me pritjet që kanë qenë, rezultatet janë shumë të vogla.

“Epoka e re”: Si mund t’i luftojë ky mision krimin dhe korrupsionin kur vetë është i korruptuar?
Salihu: Prej kur ka lindur shteti dhe zyrtarët policorë është lajmëruar edhe korrupsioni, mirëpo është detyrë e çdo shteti ta luftojë korrupsionin brendapërbrenda vetes. Edhe ata që janë për ta luftuar kriminalitetin dhe korrupsionin bien në gracë dhe infektohen sepse korrupsioni është si një lloj sëmundje. Prandaj edhe këta janë të korruptuar, dikush më pak e dikush më shumë. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur kontroll sa duhet ndaj EULEX-it dhe zyrtarëve të vet në Kosovë, e ata e kanë shfrytëzuar këtë. Mendoj se këtu ka bashkëpunim në mes të zyrtarëve vendorë dhe atyre të EULEX-it. Dhe, si duket ata përfitimet nga korrupsioni i kanë ndarë bashkë, por këta të EULEX-it sigurisht se kanë përfituar shumë më shumë. Përndryshe, sikur të mos ekzistonte ky lloj bashkëpunimi, situata do të ishte shumë më e mirë.

“Epoka e re”: EULEX-i ka bërë bujë të madhe sa i përket luftimit të korrupsionit në Kosovë me rastin e Limajt dhe të MTPT-së, por në fund të gjithë të akuzuarit për krim dhe korrupsion u shpallën të pafajshëm.
Salihu: Me vetë faktin që procedura ka zgjatur më shumë se shtatë vjet, ky fakt tregon se EULEX-i nuk e ka kryer punën si duhet. Është një maksimë në drejtësi: ‘Drejtësia e vonuar është padrejtësi’. Kjo procedurë që ka zgjatur për më shumë se shtatë vjet, ka mundur të kryhet për gjashtë muaj, një vit apo eventualisht një vit e gjysmë. Dëmet që janë shkaktuar në këtë rast janë shumë të mëdha dhe Limaj mund të kërkojë kompensim.

“Epoka e re”: Meqë EULEX-i nuk po e kryen punën si duhet, pse është i nevojshëm për Kosovën edhe më tutje?
Salihu: Pavarësisht prej të gjitha të metave, përpara prania e UNIMIK-ut dhe tash e EULEX-it është e domosdoshme. Po të mos ishte prania e tyre, gjendja në Kosovë do të ishte edhe më e keqe. Madje edhe pas vitit 2018 do të vazhdojë prania e ndërkombëtarëve në sistemin e drejtësisë. Mjerisht edhe vetëdija në shoqërinë tonë nuk është në nivelin e duhur për funksionalizimin e shtetit ligjor duke u nisur sidomos në nivelet më të larta të cilat duhet ta krijojnë një frymë të volitshme të instalimit dhe funksionalizimit të shtetit ligjor, që nënkupton se duhet pasur policinë, inspeksionin, prokurorinë dhe gjykatat të përgatitura dhe autonome. Duhet të ketë një klimë të volitshme politike dhe të procedohet çdo person që e shkel ligjin, edhe në rastin kur ai është ministër apo kryetar shteti. Ky duhet të jetë synimi dhe patjetër duhet të arrihet ky synim, në të kundërtën Kosova nuk mund të ecë. Pa sistem të mirëfilltë të drejtësisë Kosovës do t’i zihet fryma. Pa drejtësi të mirëfilltë Kosova nuk do të ketë jetë normale, përparim dhe zhvillim.

“Epoka e re”: Ju mendoni se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e pranishme në Kosovë edhe më tutje, meqë drejtësia vendore nuk ka avancuar?
Salihu: Po, qoftë edhe me këtë emër EULEX apo edhe me emra apo autorizime të tjera, prania ndërkombëtare duhet të jetë në Kosovë. Po ashtu, në Kosovë duhet të bëhet një lloj vetingu sikurse në Shqipëri, pra duhet të pastrohet kjo situatë. Sikur një person që vuan nga ndonjë sëmundje dhe që duhet të mjekohet, po ashtu edhe sistemi i drejtësisë duhet të mjekohet. Mirëpo kjo çështje është shumë komplekse dhe do të zgjasë.

“Epoka e re”: Cilat janë masat që duhet të ndërmerren në mënyrë që të forcohet sistemi i drejtësisë në Kosovë?
Salihu: Kjo është shumë komplekse. Së pari, në aspektin profesional duhet të aftësohen dhe të ngrihet niveli i policisë, i prokurorisë dhe i gjykatave. Së dyti, duhet të krijohet një klimë e volitshme politike. Së treti, politika duhet të rrijë larg sistemit të drejtësisë. Së katërti, është llogaridhënia, pra polici, prokurori, inspektori dhe gjyqtari duhet të japin llogari për punën e tyre. Ata janë të pavarur por duhet të punojnë sipas ligjit. Kemi një numër të gjyqtarëve të shkëlqyer, por është edhe një numër i gjyqtarëve që nuk punojnë sa duhet, të cilët nuk lexojnë dhe nuk i përgatisin lëndët. Duhet të arrihen standardet e BE-së dhe të Amerikës. Në Holandë është një proverb lidhur me autoritetin e gjyqtarit: ‘Më përpara mbërrin tek Zoti sesa tek gjyqtari’. Atë autoritet gjyqtari atje e ka, sepse është ekspert dhe punën e kryen si duhet, nuk është i korruptuar, nuk është i ndikuar si dhe ka sigurinë dhe mbrojtjen nga shteti. Tash jemi duke punuar me këto amendamentet e Kodit Penal dhe po mundohemi ta avancojmë këtë kod. Ligjet janë shumë të mira, por nuk zbatohen. Edhe po ta kesh ligjin më të mirë dhe më ideal, nëse policin, prokurorin dhe gjykatësin nuk i ke si duhet, atëherë ata ta degradojnë ligjin. Kam një shpresë se në tre apo pesë vjetët e ardhshëm do të avancojë sistemi i drejtësisë në Kosovë, përndryshe kështu nuk mund të shkohet më tutje.

“Epoka e re”: Profesor, çfarë pritjesh keni për punën e Gjykatës Speciale? Prisni që kjo gjykate të ketë sukses apo do të dështojë sikurse EULEX-i dhe UNMIK-u?
Salihu: Besoj se Gjykata Speciale do të ketë sukses. Askush i pafajshëm nuk do të dënohet nga Gjykata Speciale. Mund të lirohet dikush në mungesë të provave, por të dënohet dikush pa faj, nuk mund të ndodhë. Aty janë të instaluara garancitë maksimale të drejtësisë.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, ka pritur sot…