Salihu: Besa nuk refuzohet, mbijetesa nuk diskutohet
Shkëmbim Salihu ka bërë me dije se ka refuzuar në janar oferta të tjera për t’iu bashkuar Besës së Pejës, kurse beson se ky klub do të arrijë pa ndonjë problem mbijetesën në Vala Superligë. “Me punën që jemi duke bërë dhe me potencialin që kemi brenda skuadrës jam i bindur se mbijetesa nuk do të diskutohet, ani pse nuk do të jetë e lehtë nëse e shikojmë nga pozita aktuale në tabelë”, ka thënë Salihu.
KF Besa gjithmonë në gjirin e vet ka pasur sulmues të spikatur si Haxhi Zeka, Fitim Haliti, Krenar Vokshi, Kastriot Rexha, Xhevdet Shabani, kurse tash kjo skuadër që nuk e pretendon më titullin e kampiones, por mbijetesën në krye të sulmit e ka angazhuar Shkëmbim Salihun, i cili ka qenë pjesë e shumë klubeve në Kosovë.
Sulmuesi i rrezikshëm për “Epokën e re” ka thënë se nuk ka mundur t’i thoshte jo në janar ofertës së Besës, sepse ky klub është me traditë të madhe në futbollin e Kosovës.
“Kam pasur disa oferta, por zgjidhja më e mirë ishte Besa. Falënderoj ekipet që më kanë kërkuar në janar, por e kisha të domosdoshme ta zgjidhja Besën për faktin se është ndër klubet me traditën më të madhe në Kosovë”, ka thënë Salihu, i cili ka treguar edhe më pas edhe për pritjen që i është bërë, ndërsa lavdëron disa nga lojtarët me përvojë, por edhe ata të rinjtë që pritet në të ardhmen të jenë bartës të lojës së Besës. “Të gjithë në klubin e Besës më kanë pritur mirë dhe kjo dëshmon se është një klub për çdo respekt. Atmosfera është e mirë në skuadër dhe shpresojmë ta japim më të mirën, pasi kemi një skuadër cilësore që ka futbollistë me emër në futbollin e Kosovës, por edhe lojtarë të rinj që janë shumë të talentuar”, ka shtuar ai.
Duke folur për ambiciet e Besës në këtë edicion garash, Salihu ka thënë se mbijetesa nuk do të diskutohet. “Jemi në Shqipëri, duke u përgatitur maksimalisht për sezonin pranveror, i cili do të jetë i vështirë për të gjitha skuadrat. Me punën që jemi duke bërë dhe me potencialin që kemi brenda skuadrës jam i bindur se mbijetesa nuk do të diskutohet, ani pse nuk do të jetë e lehtë nëse e shikojmë nga pozita aktuale në tabelë”, ka deklaruar ish-sulmuesi i Ferizajt dhe Prishtinës.
Lidhur me luftën për titull, Salihu përfshiu tri skuadra, në mesin e tyre edhe Feronikelin që ka bërë një riorganizim. “Për titull i shoh favoritë kryesorë Llapin dhe Prishtinën, pa e anashkaluar Feronikelin”.
Sezoni vjeshtor ishte shumë i dobët për skuadrën e Besës, që dëshmon edhe pozita e dhjetë në renditjen tabelore me vetëm 13 pikë të grumbulluara, 12 pikë më pak se Vëllaznimi që zë pozitën e nëntë në tabelën e Superligës.
(Veton ZYMBERI)