Salihu: Deklarata ime u keqinterpretua, s’ka të bëjë me politikanët
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka reaguar lidhur më një deklaratë që kishte dhënë sot për një medium në Kosovë.
Sipas Salihut, deklarata e tij është keqinterpretuar dhe nuk kishte të bënte me politikanët e vendit, raporton “Epoka e re”.
“Personalisht e falënderoj presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që pikërisht sot ne e kemi mundësinë që spektaklin që e ofrojnë futbollistët tanë në fushë dhe Dardanët në tribuna ta shijojmë në stadiumin tashmë mitik ‘Fadil Vokrri’”, ka thënë Salihu.
Reagim sqarues i Eroll Salihu pa ndërhyrje
Në ditët e sotme portalet po e shfrytëzojnë çdo mundësi e shkas për të bërë tituj ‘bombastik’ dhe me apo pa qëllim po i nxjerrin deklaratat nga kontesti, e në masë të madhe edhe po shpikin fjalë të pathëna.
Një rast i tillë ndodhi edhe me deklaratën time të dhënë sot për mediumin “Zëri”, ku gazetari qëllimisht i ka dhënë shkrimit qasje krejt të kundërt me atë çfarë kam deklaruar, duke i atakuar padrejtësisht krerët e shtetit dhe politikanët në përgjithësi, artikull i cili më pas bëri “jehonë” dhe u publikua edhe nga portale tjera.
Është e pandershme dhe joetike që një medium i tillë serioz e ka keqpërdorur deklaratën time dhe është munduar ta shfrytëzojë emrin tim dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës për ‘klikime’ apo edhe për interesa politike.
Me këtë rast dua ta sqaroj opinionin se deklarata ime lidhur me biletat nuk ka të bëjë fare me sektorin “Very VIP”, i cili është i rezervuar pikërisht për krerët e institucioneve dhe menaxhohet nga Kryeministria. Madje, unë si sekretar i përgjithshëm dhe FFK-ja si institucion jemi gjithmonë të nderuar kur në ndeshjet e Kombëtares së Kosovës janë të pranishëm krerët e shtetit dhe që përherë janë në mbështetje të djelmoshave tanë.
Personalisht e falënderoj presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që pikërisht sot ne e kemi mundësinë që spektaklin që e ofrojnë futbollistët tanë në fushë dhe Dardanët në tribuna ta shijojmë në stadiumin tashmë mitik ‘Fadil Vokrri’.
Prandaj, deklarata ime nuk ka të bëjë fare me krerët e shtetit dhe politikanët e vendit, por thjesht kjo si duket është bërë me qëllim nga gazetari i mediumit të sipërpërmendur, që të hapen tema në këtë kohë kur imazhi i futbollit të Kosovës është në nivelin më të lartë të mundshëm.
Me respekt,
Eroll Salihu, Sekretar i Përgjithshëm i FFK-së