Salihu, Feronikelit: Jeni të obliguar të ndani bileta për ‘Plisat’
Feronikeli dhe Prishtina kanë para vetes edhe 90 minuta për ta përcaktuar kampionin e ri të Kosovës në futboll. Skuadra nga Drenasi ka bërë njoftimin e parë zyrtar rreth nxjerrjes së biletave në shitje ku, ndër të tjera, parashihet që fëmijët nën moshën 15-vjeçare nuk do të lejohen në fushë.
Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se ky vendim i ‘Niklit’ është absurd dhe nuk bazohet në asnjë rregullore. “Askund nuk shkruan se u ndalohet fëmijëve pjesëmarrësja në fushë. Për çka luhet futbolli, për tifozë të grupmoshave të ndryshme”, ka thënë Salihu për “Telegrafin”.
Salihu foli edhe për biletat, duke ia rikujtuar Feronikelit se skuadra vendëse është e obliguar që një pjesë të tribunave t’ua ndajë tifozëve mysafirë. “‘Nikli’ ka paralajmëruar federatën se një pjesë e stadiumit është duke u ndërtuar. Por, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të jenë të pranishëm tifozët e ekipit kundërshtar në shkallët e stadiumit, por edhe zyrtarët e mysafirët prishtinas. Feronikeli ka krijuar një traditë të mirë të mikpritjes së kundërshtarëve. Nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë”, ka shtuar Salihu.