Salihu, FFK-së: Kuvendi që e ftuat është i jashtëligjshëm

03 mars 2022 | 20:29

Eroll Salihu, ish-sekretari i FFK-së, i cili ka punuar ndër vite në statutin e FFK-së, i ka dhënë goditje te fortë Komitetit Ekzekutiv ne krye me Agim Ademin, të cilët dje papritmas e caktuan 6 prillin si datë e mbajtjes së kuvendit zgjedhor të FFK-së.

Mandati i Ademit skadon në korrik, ndërsa Eroll Salihu thotë se caktimi i datës së kuvendit zgjedhor më 6 prill është jostatutar dhe joligjor, duke i shtuar edhe më shumë dyshimet mbi këtë proces.

Ai ua ka dërguar një letër drejtuesve të FFK-së, përmes së cilës ua ka bërë me dije se ky kuvend i thirrur për 6 prill është joligjor, duke ua interpretuar statutin.

_______________

Letra e plotë e Salihut:

_______________

KRYETARIT AGIM ADEMI
ANËTARËVE TË KOMITETIT EKZEKUTIV
Prishtinë, 03.03.2022

“Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve për Kryetar të FFK-së”

Vendimi i shpallur dje në web-faqen zyrtare të FFK-së tregoi edhe një herë për moskokëçarjen tuaj as për Statut, as për Ligj e lere më për norma etike e morale apo “për të mirën” e futbollit siç e quani ju nganjëherë. Nuk mund t’a kuptojë këtë shkelje pa kurfarë baze dhe nevoje.
Zgjedhjet për kryetarë dhe anëtarë të KE-së duhet të jenë të shenjta sepse vota e lirë është instrumenti më demokratik për ata që harxhojnë mijëra e disa edhe miliona euro.
Thirrja e këtij Kuvendi zgjedhor në mënyrë të jashtë ligjshme është e tillë sepse:

1. Kuvendi zgjedhor është i paracaktuar me datë 3 Korrik 2022 kur mbushen 4 vjet;
2. Formalisht, Kuvendi duhet të thirrët 2 muaj më herët;
3. Mandati i kryetarit zgjatë 4 vjet e jo 3.5 vjet;
4. Mandati i kryetarit përfundon me vdekjen e tij, me dorëheqje, me shkarkimin e tij nga Kuvendi i FFK-së, me dënimin e Gjykatës me Akt-gjykim të plotfuqishëm (gjë që ka ndodhur) apo ndonjë rast tjetër të paraparë me Ligj;
5. Në këtë rast mund të konvokohet vetëm Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor dhe atë nëse ndonjë kusht i lartpërmendur është imponuar. Askund nuk shkruan se Kuvendi zgjedhor i rregullt mund të mbahet më herët, dhe më e rëndësishmja,
6. Në muajin Korrik struktura e delegatëve ndryshon: ekipet e Superligës bien nga liga dhe u mbetet vetëm nga një votë ndërsa ekipet që hyjnë e kanë një votë më shumë. Poashtu ekipet që hyjnë në Ligën e Parë do të kenë nga një vote ndërsa ato që bien nga liga nuk kanë fare. Këtu shihet qartë manipulimi i juaj zgjedhor, me apo pa vetëdijën tuaj.
Dezinformimet që kanë rrjedhë, se kinse UEFA ka dhënë leje për mbajtjen e një Kuvendi të tillë nuk qëndrojnë sepse atyre ua keni fshehur faktin se struktura deleguese ndryshon dhe se nuk ka asnjë arësye zyrtare për të mbajtur Kuvendin e rregullt zgjedhor tre-katër muaj më parë.
Bile këtë të drejtë të klubeve për votë në Korrik nuk mund t’ua merr as Kuvendi i FFK-së sepse është shkelje e rëndë e Statutit të FFK-së dhe çdo Ankesë eventuale në Ministri dhe rrjedhimisht në Gjykatë do të sillte para Gjykatës Komitetin Ekzekutiv dhe Kryetarin:
Ligji për Sport – Neni 30.4. thekson:
Po qe se, vendimet e federatave të sportit janë në kundërshtim të hapur me aktet normative të tyre dhe me këtë Ligj, atëherë organet përfaqësuese dhe personat përgjegjës, dalin para organeve kompetente të drejtësisë, të cilat mund ta anulojnë zbatimin e vendimeve dhe të marrin masa përkatëse ndaj personave udhëheqës.

Ndërsa, neni 39 i Statutit të FFK-së përcakton:

Kushtet për zgjedhjen e Kryetarit

1. Kryetari zgjedhet në Kuvendin e FFK-së, për periudhë katërvjeçare dhe mandati i tij fillon menjëherë pas përfundimit të Kuvendit i cili e ka zgjedhur.

3. Vetëm anëtarët e FFK-së mund të propozojnë kandidatin për Kryetar të FFK-së. Propozuesi duhet të protokolojë propozimin në Sekretariatin Gjeneral të FFK-së, në formë të shkruar dhe duke i deponuar së paku 15, nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së, me të dhënat e nevojshme, së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor. Poashtu duhet të parashtrohet programi i punës. Sekretariati i përgjithshëm duhet që t’i notifikojë kandidatët për kryetar të FFK-së, së paku një muaj para mbajtjes së Kuvendit.
_____________________________________________________________________________

Me insistimin e madh të Kryetarit mandati i tij ishte përcaktuar 4 vjet dhe kjo ka sjellë probleme të mëdha në unifikimin e mandateve të kryetarit dhe anëtarëve të KE-së dhe pas një kohe patë thënë se është dashur që KE-ja ta ndalon këtë gjë.
Tani kërkon që Kuvendi të mbahet vetëm pas 3 vite e gjysmë, pra pa i kaluar fare mandati.

Ua përkujtoj se, tanimë që Kryetari ka shpallur zgjedhjet (për mua të paligjshme) askush nuk ka të drejtë të marr Vendime.
Pasiqë u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm kinse e ka autorizuar Kryetarin të nënshkruhet i vetëm (shkelje e rëndë e detyrës zyrtare) atëherë FFK mbetet pa personin zyrtar për nënshkrime.

Kur njerëzit e pafajshëm po vdesin në Ukrainë për të mbrojtur atdheun e tyre ne po i shesim vlerat që janë krijuar me gjak. Nuk i kemi mbushur as 5-6 vjet në UEFA e FIFA dhe ne po e tradhtojmë rininë tonë dhe vlerat tona.
Tash e tri vite në FFK flitet vetëm për Gjykata, përgjime, spiunazhe, manipulime, shantazhe, rrahje të kryetarit me të tjerët, kërcënime e shumëçka tjetër.
Unë nuk punoj për Agim Ademin e as për ju por për Federatën e Futbollit të Kosovës për të cilën kam dhënë shumëçka në kohërat më të vështira.
Çfarë mesazhi u dërgoni fëmijëve tuaj, futbollistëve tanë, opinionit publik e komunitetit ndërkombëtar të futbollit kur bëni gjëra të tilla?
Shpresoj se do të reflektoni dhe anuloni këtë vendim (për çka dyshoj) ose këtë do t’a bëjnë klubet, Ministria dhe Gjykata respektive e ju do të përgjigjeni para ligjit dhe atyre që ju kanë votuar.

Në fund po e potencoj se asnjëherë nuk kam dashur të konkurojë për Kryetar dhe as që e kam pasur ndërmend të bëja një gjë të tillë tani. Për mua do të ishte lehtë të heshti por nuk mund t’a bëjë këtë.
Si mund të jem i drejtë në “KAS” të Kosovës ku jam Kryetar për të gjitha Federatat nën konteste juridike e të heshti për parregullësi në Federatën time.
Jam i gatshëm të bartë pasojat eventuale dhe të përgjigjem për çdo gjë që kërkon komuniteti i futbollit.

Eroll Salihu

Drejtor i përgjithshëm sportiv
Këshilltar i lartë ligjor (Senior Legal Adviser)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamurtari i Vlorës ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me rezultat…