Salihu: Gjykata Speciale është e pandalshme

26 janar 2018 | 14:12

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka thënë të mërkurën se përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk është në të mirë të interesave të shtetit të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se kjo iniciativë është e dëmshme si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë juridik.

Salihu ka bërë me dije se Gjykata Speciale është e pandalshme.

“Kjo përpjekje në aspektin politik dhe për interesat e Kosovës nuk është e mirë. Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet sepse ligji për këtë gjykatë ka premisa të ligjit ndërkombëtar dhe për të janë nënshkruar marrëveshjet dhe është bërë ndryshimi i Kushtetutës me të cilën është lejuar mundësia e delegimit të një pjese të juridiksionit të Kosovës në shtetet e tjera. Për këtë arsye është e pamundur të shfuqizohet Specialja. Në aspektin politik dhe juridik kjo iniciativë është e dëmshme”, është shprehur Salihu.

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka thënë se eventualisht, edhe nëse Kuvendi i Kosovës do ta miratojë ligjin me anë të të cilit suprimohen ekzistimi dhe puna e Gjykatës Speciale, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës Speciale ka të drejtë ta shqyrtojë këtë ligj, më pas ka të drejtë edhe të anulojë dhe ta shpallë antikushtetues.

“Që do të thotë se, edhe në rast se aprovohet një ligj nga Kuvendi i Kosovës, me anë të të cilit suprimohet ekzistimi dhe puna e kësaj gjykate, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë të shqyrtojë këtë ligj, më pas ka të drejtë të anulojë. Sepse me nenin 113 të Kushtetutës të njëjtin autorizim dhe juridiksion që ka Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka edhe Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës Speciale. Pra, edhe nëse shfuqizohet me ligj Gjykata Speciale, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë ta shqyrtojë dhe të shpallë të kundërligjshëm. Ndërkombëtarët i kanë ndërtuar krejt mekanizmat juridikë që të mos kontestohet ose shfuqizohet Gjykata Speciale”, ka deklaruar Salihu, duke shtuar se pushtetarët duhet të gjejnë forcë dhe gatishmëri që t’i tejkalojnë interesat grupore në mënyrë që të shkohet përpara.

“Përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk është e mirë për Kosovën dhe interesat e saj. Prandaj pushtetarët duhet të gjejnë forcë dhe gatishmëri t’i tejkalojnë interesat grupore në mënyrë që të shkohet përpara. Në të kundërtën, dëmet janë të mëdha. Gjykata Speciale është e pandalshme. Ligji për themelimin e kësaj gjykatë është ligj ndërkombëtar dhe ligjet ndërkombëtare kanë fuqi juridike më të madhe se çdo ligj i Kosovës apo çdo shteti tjetër. Për këtë arsye çdo përpjekje e tillë vetëm e vështirëson dhe keqëson gjendjen”, ka thënë Salihu.

 

“Epoka e re”: Profesor, në aspektin juridik si e komentoni nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?
Salihu: Në qershor të vitit 2015, pas një debati në Kuvendin e Kosovës, është refuzuar iniciativa për formimin e Gjykatës Speciale. Mirëpo me insistimin e ndërkombëtarëve në gusht të po atij viti është rikthyer në Kuvend me ç’rast, me 82 vota për, u pat aprovuar ligji për themelimin e kësaj gjykate. Themelimi i kësaj gjykate nuk është bërë me vullnetin e lirë të deputetëve për shkak se ndërkombëtarët qartësuan se kjo gjykatë medoemos duhet të themelohet. Po të mos themelohej me ligjin e Kosovës, do të themelohej nga Këshilli i Sigurimit. Kanë qenë dy të këqija të domosdoshme, por është zgjedhur e keqja pak më e vogël. Tash pas dy vjet e gjysmë është bërë iniciativa për suprimimin apo shfuqizimin e kësaj gjykate. Kjo përpjekje në aspektin politik dhe për interesat e Kosovës nuk është e mirë. Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet sepse ligji për këtë gjykatë ka premisa të ligjit ndërkombëtar dhe për të janë nënshkruar marrëveshjet dhe është bërë ndryshimi i Kushtetutës me të cilën është lejuar mundësia e delegimit të një pjese të juridiksionit të Kosovës në shtetet e tjera. Për këtë arsye është e pamundur të shfuqizohet Specialja. Në aspektin politik dhe juridik kjo iniciativë është e dëmshme. Gjykata Speciale, e lejuar me ligjin e Kosovës, të vetmin element kosovar e ka që është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Të gjitha komponentët e saj janë ndërkombëtare për shkak se selia e saj është në Hagë dhe të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit janë ndërkombëtarë.

 “Epoka e re”: Do t’i sjellë dëme Kosovës kjo iniciativë?
Salihu: Në aspektin politik ka shkaktuar dhe do të vazhdojë të shkaktojë dëme të paevitueshme. Në aspektin juridik struktura organizative e kësaj gjykate përbëhet nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar. Neni 24 i ligjit për themelimin e kësaj gjykate thotë se ‘struktura organizative e gjykatës është: Dhomat e Gjykatës Themelore, Dhoma e Gjykatës së Apelit, Dhoma e Gjykatës Supreme dhe Dhoma e Gjykatës Kushtetuese’. Dhe neni 49 i ligjit për themelimin e kësaj gjykate, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, thotë: ‘Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese është autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës në lidhje me juridiksionin lëndor dhe punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar’. Që do të thotë se, edhe në rast se aprovohet një ligj nga Kuvendi i Kosovës, me anë të të cilit suprimohet ekzistimi dhe puna e kësaj gjykate, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë të shqyrtojë këtë ligj dhe më pas ka të drejtë të anulojë. Sepse me nenin 113 të Kushtetutës të njëjtin autorizim dhe juridiksion që ka Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka edhe Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës Speciale. Pra, edhe nëse shfuqizohet me ligj Gjykata Speciale, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka të drejtë të shqyrtojë dhe të shpallë të kundërligjshëm. Ndërkombëtarët i kanë ndërtuar krejt mekanizmat juridikë në mënyrë që të mos kontestohet ose shfuqizohet Gjykata Speciale.

 “Epoka e re”: Mund të ndodhë apo jo shfuqizimi i Speciales?
Salihu: Kjo gjykatë edhe mund të shfuqizohet nga Kuvendi me anë të një ligji, mirëpo Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës Speciale ka të drejtë ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e këtij ligji dhe të njëjtin ta shpallë kundërkushtetues.

 “Epoka e re”: Që do të thotë se shfuqizimi i kësaj gjykate është antikushtetues?
Salihu: Po, edhe mund të cilësohet e tillë nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese. Në nenin 113 të Kushtetutës së Kosovës janë të përcaktuara kompetencat e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të njëjtat kompetenca dhe të njëjtin autoritetit e ka edhe Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës Speciale. Neni 49 i Ligjit për Gjykatën Speciale është autoritet përfundimtar sikurse Gjykata Kushtetuese e Kosovës që ka autoritet përfundimtar të shpallë një ligj të pavlefshëm apo ndonjë vendim të Qeverisë a të Presidencës. Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese është e përbërë vetëm prej gjyqtarëve ndërkombëtarë.

 “Epoka e re”: Cilat do të jenë dëmet që do t’i sjellë Kosovës iniciativa për shfuqizimin e Speciales?
Salihu: Dëmet veç kanë filluar të shihen dhe do të vazhdojnë të shihen edhe më vonë. Si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë juridik, është e pamundur të shfuqizohet Gjykata Speciale. Dëmet e para veçse janë parë. Nuk iu dha viza kryeministrit. Siç ka thënë edhe ambasadori amerikan, kjo është thikë pas shpine.

 “Epoka e re”: Ka qenë e panevojshme kjo iniciativë?
Salihu: Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet as në aspektin juridik, as në atë politik. Sepse ndërkombëtarët i kanë ndërtuar të gjithë mekanizmat meqë kanë prognozuar se mund të ndodhë tentativa për zhbërjen e Speciales, prandaj e kanë paraparë Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës Speciale. Të gjitha instancat e gjykatave, Dhoma e Gjykatës Themelore, Dhoma e Gjykatës së Apelit, Dhoma e Gjykatës Supreme dhe Dhoma e Gjykatës Kushtetuese janë në kuadër të Gjykatës Speciale. Çdo gjë që lidhet me punën, vendimet dhe juridiksionin e kësaj gjykate, e ka Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.

“Epoka e re”: Kosova po rrezikon të izolohet dhe ta humbë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në ecjen përpara.
Salihu: Ju e dini këtë. Sigurisht se do të ketë pasoja. Me këtë Kosova po del shtet joserioz sepse ka marrë obligime ndërkombëtare dhe ato duhet t’i zbatojë. Kosova ka nënshkruar marrëveshjen me Holandën për këtë çështje. Me këto veprime Kosova po del shtet joserioz, duke mos i respektuar marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo është një lloj kontrate ndërkombëtare, e cila është nënshkruar dhe pranuar prej organeve më të larta shtetërore. Kjo i bie se Kosova nuk e mban fjalën dhe nuk i respekton as ligjet vendore e as ato ndërkombëtare. Gjykata Speciale nuk është e mirë dhe është e rëndë, mirëpo kjo është sikur një person lëngon nga ndonjë sëmundje dhe medoemos duhet t’i nënshtrohet operacionit. Prandaj neve na ka ardhur puna dhe patjetër duhet t’i nënshtrohemi kësaj gjykate. Edhe nëse eventualisht suprimohet kjo gjykatë, ndërkombëtarët e kanë edhe variantin tjetër brenda një jave apo një muaji do ta themelojnë Gjykatën Speciale në Këshill të Sigurimit dhe kjo do të jetë më e keqe dhe do të jetë sipas dëshirës së Serbisë dhe Rusisë. Përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk është e mirë për Kosovën dhe interesat e saj. Prandaj pushtetarët duhet të gjejnë forcë dhe gatishmëri t’i tejkalojnë interesat grupore në mënyrë që të shkohet përpara. Në të kundërtën, dëmet janë të mëdha. Gjykata Speciale është e pandalshme. Ligji për themelimin e kësaj gjykate është ligj ndërkombëtar dhe ligjet ndërkombëtare kanë fuqi juridike më të madhe se çdo ligj i Kosovës apo çdo shteti tjetër. Për këtë arsye, çdo përpjekje e tillë vetëm e vështirëson dhe keqëson gjendjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria është…