Salihu: Pas intervistimeve, priten akuzat nga Gjykata Speciale
23 korrik 2019
| 20:22
Pas intervistimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës, Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë, në rast se i vërteton dyshimet si të bazuara, atëherë mund të ngreh akuzat ndaj të dyshuarve, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare.
Sipas tij, duke u bazuar në rrjedhën e punës së Dhomave të Specializuara, që njihet si Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, sidomos në dy muajt e fundit, procedura e gjykimit të personave të dyshuar do të fillojë së shpejti.
Ai shpreh mendimin se nuk do të ketë interferime politike ndaj kësaj gjykate dhe se askush i pafajshëm, nuk do të dënohet nga kjo gjykatë.