Salihu: S’mund të nxirren para drejtësisë 20 mijë persona

30 shtator 2018 | 14:12

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë se solucioni më i mirë për zgjidhjen e çështjes së veteranëve të UÇK-së do të ishte ndalja e pensioneve të veteranëve të jashtëligjshëm.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se do të jetë  e pamundur që të nxirren para drejtësisë 20 mijë persona por, sipas Salihut, procedura penale duhet të ndiqet ndaj përgjegjësve kryesorë.

“Nëse jo 100 për qind, 98 për qind e atyre që janë në evidencë janë veteranë të jashtëligjshëm apo, siç po i quajnë, veteranë të ‘rrejshëm’. Pensionet duhet të ndalen, kurse ata kryesorët duhet të nxirren para gjykatës. Veteranëve të ‘rrejshëm’ si masë e përkohshme duhet t’u ndalet pensioni. Nëse konstatohet se ata kanë marrë kundërligjshëm, duhet të detyrohen t’i kthejnë ato mjete. Përndryshe, 20 mijë persona nuk mund të nxirren para gjykate, mirëpo duhet të nxirren personat kryesorë që i kanë kontribuar kësaj”, ka deklaruar ai.

Salihu ka vlerësuar se shteti i Kosovës duhet të veprojë me pragmatizëm sa i përket çështjes së veteranëve të UÇK-së.

Sipas tij, procesi i hetimit të veteranëve duhet të realizohet nga qendra dhe jo nëpër gjykata themelore.

Salihu ka thënë se shpërndarja nëpër gjykata do ta bënte këtë çështje pazar. “Nuk e di nëse është bërë një gjë e tillë, mirëpo me këtë çështje duhet të merret qendra. As teorikisht e as praktikisht nuk mund të nxirren para gjykatës 20 mijë persona. Nëse duan të kryejnë punë kjo duhet bërë në qendër, pra në një vend, por nëse ndahet në shtatë gjykata themelore në nivel Kosove, kjo çështje do të bëhej pazar”, është shprehur Salihu.

“Epoka e re”: Profesor, pas krejt këtyre zhvillimeve sa i përket hetimit të listave të veteranëve si dhe publikimit të listës së veteranëve të ‘rrejshëm’, si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje problematike?
Salihu: Identifikimi i veteranëve të jashtëligjshëm është fitore e drejtësisë dhe funksionalizimit të shtetit ligjor. Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe në funksion të sundimit të ligjit. Me çështjen e veteranëve është bërë një keqpërdorim masiv i cili është mundësuar prej disa politikanëve për arsye të ndryshme. Më vjen keq që veteranëve të vërtetë, sidomos atyre që kanë dhënë jetën për këtë Kosovë, u kanë qitur një hije të keqe. Çështja e veteranëve urgjentisht duhet të zgjidhet sipas procedurës ligjore. Me vjen mirë që një numër i konsiderueshëm i veteranëve, në krye me kryetarin e OVL UÇK-së, janë vënë në funksion të sundimit të ligjit.

“Epoka e re”: Ka kapacitete drejtësia jonë dhe mund ta çojë përpara këtë proces, pavarësisht prej ndikimeve politike dhe kundërshtimit nga veteranët?
Salihu: Ish-prokurori Elez Blakaj ka bërë një punë të madhe dhe të mirë. Ai ka përfunduar hetimin dhe ka dorëzuar aktakuzën aty ku është dashur. Por për ta komprometuar punën e tij në atë listë i kanë futur rreth dy mijë veteranë të ligjshëm. Këtë e ka thënë edhe vetë ish-prokurori Blakaj, i cili ka bërë me dije se këta persona nuk kanë qenë pjesë e akuzës së dorëzuar në gjykatë. Prandaj, kjo është bërë qëllimisht për ta kompromentuar punën që është bërë në bazë të ligjit.

“Epoka e re”: Ngritja e aktakuzës është kundërshtuar nga politika dhe shoqatat e luftës, madje këtë javë pati edhe një protestë të veteranëve të cilët kërkuan që aktakuza të hedhet poshtë. Mund të presim ndriçim të plotë të këtij rasti?
Salihu: Ky proces patjetër duhet të ndriçohet deri në fund, përndryshe do të jetë shumë keq. Duhet të gjendet një solucion i cili vërtet do ta vë drejtësinë në vend. 20 mijë keqpërdorues që janë evidentuar nuk mund të nxirren para gjykatës. Kjo është e pamundur teorikisht dhe praktikisht, mirëpo Komisioni Qendror dhe komandantët që kanë nënshkruar të dhënat e pavërteta duhet të nxirren para drejtësisë.

“Epoka e re”: Cili është solucioni më i mirë, sipas mendimit tuaj?
Salihu: Solucioni më i mirë do të ishte ndalja e pensioneve. Nëse jo 100 për qind, 98 për qind e atyre që janë në evidencë janë veteranë të jashtëligjshëm apo, siç po i quajnë, veteranë të ‘rrejshëm’. Pensionet duhet të ndalen, kurse ata kryesorët duhet të nxirren para gjykatës. Veteranëve të ‘rrejshëm’ si masë e përkohshme duhet t’u ndalet pensioni. Nëse konstatohet se ata vërtet kanë marrë kundërligjshëm, duhet të detyrohen t’i kthejnë ato mjete. Përndryshe, 20 mijë persona nuk mund të nxirren para gjykatës, mirëpo duhet të nxirren personat kryesorë që i kanë kontribuar kësaj.

“Epoka e re”: Si duket, për shkak të numrit të madh, çështja është shpërndarë në gjykata  themelore në krejt Kosovën. Ka qenë veprim i duhur?
Salihu: Nuk e di nëse është bërë një gjë e tillë, mirëpo me këtë çështje duhet të merret qendra. As teorikisht e as praktikisht nuk mund të nxirren para gjykatës 20 mijë persona. Nëse duan të kryejnë punë, kjo duhet bërë në qendër, pra në një vend. Nëse ndahet në shtatë gjykata themelore në nivel Kosove, kjo çështje do të bëhej pazar.

“Epoka e re”: A është dashur të publikohen të dhënat personale të këtyre personave që pretendohet se jashtëligjshëm gëzojnë statusin e veteranit?
Salihu: Sa unë di, prokurori i lëndës nuk i ka publikuar, por i ka dërguar në gjykatë. Ata që i kanë publikuar në mënyrë të kundërligjshme listat me të dhëna personale duhet të përgjigjen për shkelje të ligjit.

“Epoka e re”: Si duhet të veprojë drejtësia në mënyrë që të dihet e vërteta shpejt dhe ky proces të mos zvarritet?
Salihu: Procedura penale duhet të zhvillohet ndaj personave përgjegjës. Fajtorë kryesorë janë komisioni dhe komandantët në terren, sepse po të procedohet ndaj këtyre 20 mijë personave, Kosova duhet të merret edhe pesë vjet me ta. Nuk është praktike dhe nuk është e mundur të bëhet një gjë e tillë. Prandaj, në këto raste duhet të veprohet në interes të përgjithshëm. Nëse duan që ky problem të mos zgjidhet kurrë dhe askush të mos japë përgjegjësi, atëherë le të fillojë procedura ndaj këtyre 20 mijë personave. Nëse shkohet në këtë drejtim do të ketë shmangie nga drejtësia. Shteti duhet të veprojë me pragmatizëm, por duke mos e shkelur ligjin. Kurse nëse duan që të vihet drejtësia në vend, atëherë duhet të ndiqet procedura ndaj personave përgjegjës dhe në këtë mënyrë procesi mund të përfundojë brenda gjashtë muajve, më së largu një vit.

 Shqipe HETEMI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka njoftuar se deri…