Salihu: Vjosa Osmani pjesë e asaj që e quan ‘kapje e shtetit’, tash flet keq për Kosovën në BBC
Deklarata e u.d. së Presidentes, Vjosa Osmani në BBC ku ka thënë se “Kosova është vend i zhytur në krim dhe korrupsion”, ka zgjuar reagime të shumta në Kosovë.
Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, në një prononcim për Periskopin ka thënë se e sheh si të dëmshme këtë deklaratë nga Osmani.
“Serbia thotë vazhdimisht se jemi shtet i dështuar dhe se shqiptarët nuk dijnë të bëjnë shtet. Nuk është parimore që këtë ta thotë vetë Presidentja e Kosovës. Korrupsion ka në secilin vend të botës demokratike, përfshirë Britaninë, në mediumin e të cilit shtet foli ajo, por nuk i dëgjon krerët e atij shteti të flasin me gjuhën e armikut kur e përshkruajnë shtetin e tyre”, ka thënë Salihu.
Tutje, ai ka thënë se Vjosa Osmani ka qenë për 15 vite pjesë e asaj që ajo e quan “kapje e shtetit”.
“Për më tepër, Vjosa Osmani ka qenë për 15 vite pjesë e asaj që ajo e quan ‘kapje e shtetit’. Pavarësisht a ka pasur kompetenca ekzekutive apo jo, me heshtjen e saj ajo i ka miratuar të gjitha veprimet negative të ish-shefave të saj, gjer në momentin që është prishur me ta”, ka thënë Salihu.
Reagime ndaj deklaratave të Osmanit ka pasur edhe nga opozita, të cilët e kanë cilësuar skandaloze që këto deklarata të vijnë nga u.d. e Presidentes së Kosovës.