Sami Kastrati në Bordin Drejtues të Diplomacisë Digjitale për Evropë
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka njoftuar se sipas rekomandimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Qendra për Perspektivë Evropiane, drejtori i Komunikimit dhe Diplomacisë Publike në MPJ, Sami Kastrati, i cili më herët kishte shërbyer si zëvendësambasador i Republikës së Kosovës në SHBA, është përzgjedhur në Bordin Drejtues të Projektit për Diplomaci Digjitale për Evropë.
“Ne, ju ftojmë juve, që të shërbeni në një ulëse në Bordin Drejtues. Ju jeni rekomanduar si një person me nivel të rëndësishëm të njohurive, përvojës dhe dedikimit, të gjitha këto do të shërbejnë si një kontribut me vlerë në këtë Bord. Si një anëtar, ju pritet që të sillni, brenda arsyes dhe kufizimit tuaj, njohuritë dhe opinionet e juaja, që të ndihmoni në formësimin dhe lëvizjen përpara të këtij projekti”, ka njoftuar MPJ se është thënë në letrën e ftesës për Kastratin, nga Koordinatori Digjital, Byroja për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matt Jacobs, dhe Koordinatorja e Projektit nga Qendra për Perspektivë Evropiane, Ingrid Omahna.
Ndërkaq, Kastrati ka thënë se përzgjedhja e tij në Bordin Drejtues të Diplomacisë Digjitale për Evropë, nuk është vetëm një mirënjohje, por, gjithashtu, edhe përkushtim i tij për Kosovën dhe qytetarët, që të përqafojnë artin e qeverisjes së shekullit 21.
MPJ-ja njofton se projekti fokusohet në rritjen e kapaciteteve kolektive të anëtarëve për të vepruar në mënyrë efektive brenda hapësirës së informacionit digjital dhe do të ndihmojë në lehtësimin e zhvillimit të partneriteteve strategjike me organizatat ndërkombëtare, akademikët, think-tank, shoqërinë civile kompanitë e teknologjisë, në mënyrë që të zhvillohet një bashkëpunim i fuqishëm në prioritetet e përbashkëta.