“Sami Lushtaku do të largohet nga të gjitha pozitat në PDK”
Opinionisti Milaim Zeka, thotë se nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku do të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kjo pasi që sipas tij, Lushtaku që një kohë të gjatë ka deklaruar brenda zyreve të PDK-së, se “garda e vjetër”, duhet të largohet nga kjo parti, për t’u lënë hapësirë të rinjëve.
“Unë jam i bindur që pas zgjedhjes së kryetarit ose kryetares së ri në PDK, Sami Lushtaku do të largohet nga secila pozitë në këtë parti. Ai iu ka thënë që një kohë të gjatë se garda e vjetër duhet të largohet. Që një kohë të gjatë ai i ka shtyrë njerëzit e rinj brenda PDK-së”, ka thënë Zeka.
Gjithashtu Zeka, është shprehur i bindur se kryetar i ardhshëm i PDK-së, do të zgjedhet Memli Krasniqi.
Zeka thotë se ka burime mirë të informuara brenda PDK-së dhe se nënkryetarë të PDK-së, do të jenë Gent Cakaj dhe Vlora Çitaku.
Ani pse Cakaj tashmë ka konfirmuar se nuk do të jetë kandidat për kryetar të PDK-së, Zeka tha se ai do të aderojë në PDK pas disa muajsh, së bashku me disa persona tjerë.
“Memli Krasniqi do të jetë kryetar i PDK-së. Gent Cakaj do të jetë nënkryetar i PDK-së. Vlora Çitaku do të jetë nënkryetare e PDK-së. Gent Cakaj do të aderojë në PDK, me disa njerëz tjerë, pas disa muajsh”, ka thënë Zeka ndër të tjera në Politiko në Kanal 10. GazetaBlic.