Sami Lushtaku: PDK-ja po hyn e unifikuar në zgjedhjet e brendshme
Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka takuar të hënën kryetarët e degëve dhe seksioneve të partisë dhe strukturat e Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK) me qëllim të mobilizimit për zgjedhje e brendshme në parti.
Lushtaku ka kërkuar angazhim nga të gjithë në organizimin e zgjedhjeve në 57 nëndegë të RDK-së.
Ai ka kërkuar që uniteti i plotë i degës së PDK-së të vazhdojë edhe në zgjedhjet e brendshme.
“Kërkoj angazhim nga strukturat e partisë që të punojnë në terren për të ndihmuar procesin zgjedhor duke iu dhënë mundësi të gjithë të rinjve nga 16 deri në 25 vjeç që të jenë pjesë e procesit zgjedhor në RDK”, ka thënë Sami Lushtaku, raporton “Epoka e re”.
Ai ka siguruar se PDK-ja në Skenderaj do të jetë e hapur për të gjithë duke krijuar mundësi të barabarta për secilin. “Dega e PDK-së në Skenderaj është unike dhe e përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme me qëllim të hapjes ndaj të rinjve, duke u krijuar mundësi të barabarta për secilin qytetar të Skenderajt, për të përqafuar programin politik të partisë dhe për të qenë pjesë e reformimit të brendshëm”, ka theksuar kryetari Lushtaku.
Në takim Komisioni për organizimin e zgjedhjeve ka prezantuar orarin e kuvendeve të nëndegëve të RDK-së që do të fillojnë të mbahen nga dita e mërkurë.
/Epoka e re/