Sami Lushtaku për Memli Krasniqin: Është një prej më të mirëve në PDK

29 qershor 2021 | 16:34

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është një nga partitë më të vjetra në vend, e cila për një kohë të gjatë është drejtuar nga krahu i luftës.

Situata e krijuar në vend dhe rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit ka ndikuar që Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të marrë vendim për shkuarje në zgjedhje të brendshme të partisë.

3 korriku do të jetë edhe data vendimtare për drejtuesin e ri të PDK-së, partia e cila për një kohë të gjatë u udhëheq nga Hashim Thaçi e më pas nga Kadri Veseli, të dy ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët tani gjenden në një proces gjyqësorë në Gjykatën Speciale të Hagës.

Gjatë ditës së djeshme deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zyrtarizuar kandidimin e tij për të drejtuar Partinë Demokratike të Kosovës.

Lidhur me këtë, “lajmi.net” ka kontaktuar zyrtarin e PDK-së, Sami Lushtaku.  Lushtaku ka thënë se Memli Krasniqi është një nga njerëzit më të mirë dhe më të respektuar të partisë.

Sipas Lushtakut kjo nuk është koha e duhur për zgjedhje të brendshme, por që sipas tij mbetet të shihet se kush do të jetë tjetër kandidat për drejtimin e partisë.

“Unë i respektoj se të gjithë ata kandidatë që janë të PDK-së besoj se Memli Krasniqi është njëri nga ata që shumë i respektueshëm në Partinë Demokratike. Po ashtu është që nga fillimi në PDK dhe tash varet edhe kush është tjetër kandidat. Unë nuk e di se kush mund të jetë tjetër kandidat”, ka thënë Lushtaku.

I pyetur nëse është e vërtetë se nëse ky i fundit ishte shtytja më e madhe për kandidimin e Krasniqit, Lushtaku, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

Sipas tij gara është e hapur dhe se tani për tani dihet vetëm kandidimi i Krasniqit.

“Ka ardhur prej juve ideja për kandidimin e Memli Krasniqi. Jo, nuk është e vërtetë kjo absolut. Unë nuk e di, gara është e hapur nuk e di kush kandidon pos Memli Krasniqit, dje veçse e shprehu kandidimin. Varet tash kush donë ta merr drejtimin e PDK-së, unë besoj se Memli është njëri prej njerëzve më të respektueshëm dhe më të mirë në PDK dhe besojmë fuqishëm në kandidaturën e tij”,ka thënë Lushtaku.

Lushtaku ka thënë se respekton çdo vendim që vjen nga Kryesia e PDK-së, ndër to edhe këtë për zgjedhje të brendshme të partisë.

“Unë nuk e di, personalisht kam qenë kundër zgjedhjeve në këtë kohë sepse tash janë zgjedhjet lokale, por megjithatë ka qenë vendim i Enver Hoxhajt dhe i Kryesisë së PDK-së të cilin unë e respektoj padiskutim”, ka thënë ai.

Ndryshe në kandidim për të parin e PDK-së janë përmendur disa emra, ndër ta Memli Krasniqi, Bedri Hamza, Uran Ismaili, Vlora Çitaku e Gent Cakaj.

Ishte vetë Cakaj i cili mohoi një gjë të tillë duke theksuar se tani për tani po qëndron larg politikës, derisa Vlora Çitaku mohoi publikisht kandidimin për drejtim të PDK-së. Deklarim nuk pati nga Ismaili dhe Hamza derisa Memli Krasniqi dje deklaroi se tashmë është në kandidim të hapur për të drejtuar Partinë Demokratike të Kosovës.

PDK-ja do të zhvillojë zgjedhjet e brendshme pas atyre që zhvilloi LDK muaj më parë. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit si dhe mosprania e drejtuesit të mëhershëm, Kadri Veseli bëri që PDK të organizoi zgjedhje të parakohshme, të cilat pritet të shihet se di do të zhvillohen./Lajmi.net/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka bërë me dije se caktimi…