Samir Mane: Ferronikeli, potencial i madh i zhvillimit

26 korrik 2018 | 13:58

“NewCo Ferronikeli Complex LLC”, një nga operatorët më të mëdhenj në fushën minerare dhe metalurgjike në Ballkan, është blerë nga një kompani me seli në Mbretërinë e Bashkuar që kontrollohet nga “Balfin Group”.

“NKL Limited”, shumica e aksioneve të cilat janë në pronësi të “Balfin Group”, është një kompani e specializuar në fushën minerare dhe metalurgjike, me seli në Mbretërinë e Bashkuar. Kështu është bërë me dije me anë të një komunikate për medie të “NewCo Ferronikeli Complex LLC”.

“NKL Limited ka marrë kontrollin e NewCo Ferronikelit pas ekzekutimit të marrëveshjeve të detyrueshme dhe së bashku me menaxhmentin e kompanisë është duke u përkujdesur për të gjitha përgjegjësitë në baza ditore. Balfin, menjëherë pas marrjes së kontrollit, ka treguar angazhimin e tij  ndaj NewCo Ferronikelit duke investuar fonde të mjaftueshme për të rifilluar prodhimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Balfin gjithashtu është duke bashkëpunuar me kontraktorët e kompanisë, furnizuesit dhe partnerët e saj për të rënë dakord për bashkëpunimin dhe angazhimin e mëtutjeshëm për biznesin dhe operimin e NewCo Ferronikelit”, është thënë në komunikatën për medie, duke u shtuar se menaxhmenti i kompanisë është mirënjohës për mbështetjen e plotë që është duke pranuar nga aksionerët e saj të rinj dhe së bashku me “Balfin” dhe “NKL Limited” dëshirojnë të shprehin vlerësimin e tyre për punonjësit, partnerët, institucionin bankar, kontraktuesit, furnizuesit dhe të gjithë komunitetin e Republikës së Kosovës. “Balfin dëshiron të shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë në ekzekutimin e blerjes dhe mirëpret investimet tona të fundit në vend. ‘NewCo Ferronikeli’ është një aset strategjik i rëndësishëm për Republikën e Kosovës me rëndësi të madhe për ekonominë në përgjithësi. NKL dhe Menaxhmenti tani po ecin përpara me shpejtësi për rifillimin e prodhimit në fabrikë dhe janë duke vepruar fuqishëm në drejtimin për të rikthyer NewCo Ferronikelin si një prodhues dhe eksportues kryesor të ferronikelit në nivel global”, është thënë tutje në komunikatë.

Aksionari kryesor i “NKL Limited”, Samir Mane, ka thënë se kanë  shpresa të mëdha për “NewCo Ferronikeli”-n, duke besuar se është një investim kyç në Kosovë që ka potencial të jashtëzakonshëm.

“Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë personat e përfshirë në bërjen e kësaj të mundshme dhe presim me kënaqësi të punojmë me një ekip të mrekullueshëm në udhëheqjen e këtij biznesi. Ne synojmë që gradualisht të zgjerojmë kapacitetin prodhues, të investojmë në zhvillimin e teknologjisë dhe të vazhdojmë të rrisim Kompaninë dhe biznesin e saj në baza të qëndrueshme”, ka thënë Mane.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kampioni i botës me Gjermaninë, Andre Schurrle u prezantua te…