Samiti i ardhshëm i Brdo-Brijunit mbahet në Slloveni, ftohet edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, si një nga nikoqirët e Samitit të Brdo-Brijunit që këtë vit po mbahet në Tiranë, ka bërë me dije se takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Slloveni.
“Samiti i ardhshëm do të mbahet në Slloveni, ku besojmë se do të jetë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres të cilin kemi marrë vendim që ta ftojmë”, ka thënë Meta.
Meta në konferencën për medie pas takimit të liderëve të Ballkanit nuk ka dhënë më shumë detaje për temat dhe konkluzionet e këtij samiti.
“Gjithashtu dua të shpreh jo vetëm kënaqësinë për këtë pjesëmarrje dhe këto mesazhe mjaft konstruktive që drejtohen nga ky samit sidomos ndaj BE-së, por edhe ta shprehë bindjen time se prezenca e presidentit të Polonisë dhe prezenca e dy presidentëve të dy vendeve themeluese të këtiji samiti është mjaft e rëndësishme që konkluzionet e këtij samiti të dëgjohen edhe më shumë në ditët dhe javët e ardhshme nga vendet anëtare të BE-së”, ka thënë ai. /KK/