Samiti i NATO-s në Lituani, Rama: Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë
Kryeministri Edi Rama, e ka cilësuar samitin e NATO-s që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë, si një samit vendimtar i cili do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s.
Kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria është e gatshme që të angazhojë trupa shtesë në NATO dhe shtoi se në dekadën e fundit Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes.
“Ne mezi presim samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius. Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor”.
“Në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35 për qind në 1.76 për qind të PBB-së sonë. Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2 për qind deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2 për qind është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë”.
“Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, ka shkruar Rama në “Twitter”.