Samiti i Parisit do të jetë një pikë kthese për vazhdimin e dialogut

24 maj 2019 | 14:26

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LV) po synojnë krijimin e një blloku opozitar i cili jep indikacione për bashkërendim të aktiviteteve dhe politikave për periudha kohore më të gjata, e jo vetëm në mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë aktuale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se është legjitim secili mobilizim i opozitës që përmes një mocioni mosbesimi ta krijojë rrëzimin e qeverisë dhe përmes garës zgjedhore ta kërkojë besimin qytetar për një qeverisje alternative.

“Konsideroj se është një iniciativë në frymën e bashkëpunimit të një blloku opozitar, i cili jep indikacione për një bashkërendim të aktiviteteve dhe politikave për periudha kohore më të gjata, e jo vetëm në mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë aktuale. Partitë politike, varësisht nga analizat, vlerësimet dhe strategjitë e tyre, ndërtojnë bashkëveprim ose koalicion me subjektet e tjera, shpeshherë edhe qasje kritike ndaj njëra-tjetrës. Këtë frymë të bashkëveprimit mes subjekteve politike tek ne, përveç votës qytetare, në masë të konsiderueshme e imponon edhe legjislacioni aktual”, është shprehur Kryeziu, duke shtuar se nëse iniciativa e opozitës ka sukses, atëherë zgjedhjet e reja do të duhej të mbaheshin këtë vit.

“Kjo varet nga dinamika e kësaj nisme dhe nëse arrihet shumica parlamentare e nevojshme për ta shprehur mosbesimin ndaj kësaj qeverie, atëherë zgjedhjet do duhej të ndodhnin këtë vit. Por, nisma për mocionin e mosbesimit nuk është e sotshme dhe deri tani gati mbas dy vjet qeverisje ende nuk është arritur që të sigurohet numri i mjaftueshëm i deputetëve të cilët përmes votës shprehin mosbesimin ndaj kësaj qeverie”, ka deklaruar ai.

Sa i përket funksionimit të Kuvendit të Kosovës, Kryeziu ka vlerësuar se mungesa e kuorumit është problemi më i madh me të cilin ballafaqohet Kuvendi dhe, për pasojë, nuk po arrin ta luajë mjaftueshëm rolin e tij përfaqësuese, ligjvënës e as mbikëqyrës.

“Sikurse qeveria dhe opozita janë medalje me dy anë. Ka pasur vendime të rëndësishme të cilat qeveritë paraprake me vite qeverisje s’kanë arritur t’i shtyjnë tutje, shpeshherë duke i mbajtur ato vendime peng të interesave partiake, sikurse ka dhe vendime të cilat janë përcjell me shumë kritika dhe pa llogaridhënien e mjaftueshme për publikun”, ka theksuar Kryeziu.

Në këtë intervistë Kryeziu ka folur edhe për takimin e kryeministrit Ramush Haradinaj me kancelaren Angela Merkel, duke thënë se ky takim do t’i shërbejë Kosovës për ta përgatitur Samitin e Parisit, por dhe për ta adresuar agjendën e saj të integrimeve evropiane, veçanërisht liberalizimin e vizave.

Ndërsa për Samitin e Parisit ai ka thënë se do të jetë një pikë kthese për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Nga Samiti i Francës besoj se do të jetë një pikë kthese nga dy shtetet për t’iu rikthyer tryezës së dialogut përmes së cilës do të synohet arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme”, ka deklaruar Kryeziu.

“Epoka e re”: Z. Kryeziu, në kuadër të koordinimit për rrëzimin e qeverisë, të martën janë takuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Si e komentoni iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë?
Kryeziu: Opozita në sistemet parlamentare s’ka asnjë instrument të ngjashëm apo më të fuqishëm sesa mocioni i mosbesimit ndaj një qeverisje, qoftë edhe për një aspekt të qeverisjes. Prandaj është legjitim secili mobilizim i opozitës që përmes një mocioni mosbesimi të krijojë rrëzimin e qeverisë dhe përmes garës zgjedhore ta kërkojë besimin qytetar për një qeverisje alternative.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh raportet e këtyre dy partive në të kaluarën, sa ka gjasa të realizohet skenari i LDK-së dhe i Vetëvendosjes, eventualisht me mbështetjen e PSD-së dhe Listës Serbe?
Kryeziu: Konsideroj se është një iniciativë në frymën e bashkëpunimit të një blloku opozitar, i cili jep indikacione për një bashkërendim të aktiviteteve dhe politikave për periudha kohore më të gjata, e jo vetëm në mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë aktuale. Partitë politike, varësisht nga analizat, vlerësimet dhe strategjitë e tyre, ndërtojnë bashkëveprim ose koalicion me subjekte të tjera, shpeshherë edhe qasje kritike ndaj njëra-tjetrës. Këtë frymë të bashkëveprimit mes subjekteve politike tek ne, përveç votës qytetare, në masë të konsiderueshme e imponon dhe legjislacioni aktual.

“Epoka e re”: Kur parashihni mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në këtë apo në vitin tjetër?
Kryeziu: Kjo varet nga dinamika e kësaj nisme dhe nëse arrihet shumica parlamentare e nevojshme për ta shprehur mosbesimin ndaj kësaj qeverie, atëherë zgjedhjet do të duhej të ndodhnin këtë vit. Por, nisma për mocionin e mosbesimit nuk është e sotshme, dhe deri tani, gati mbas dy vjetësh qeverisje, ende nuk është arritur të sigurohet numri i mjaftueshëm i deputetëve të cilët përmes votës shprehin mosbesimin ndaj kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Mendoni se zgjedhjet do të ishin zgjidhja e duhur për përmirësimin e gjendjes në vend?
Kryeziu: Varësisht se si e lexoni gjendjen në vend. Për shembull, çështja e dialogut dhe marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të kërkonte një gjithëpërfshirje të aktorëve politikë, e këtë situatë s’mendoj se e ndryshojnë zgjedhjet. Derisa në qeverisjen e brendshme si në llogaridhënie, transparencë dhe qeverisje të mirë mund dhe të ketë përmirësim ose përkeqësim, varet se cilat janë ofertat dhe për çka përcaktohen qytetarët. Skena politike aktuale, së paku pas pavarësisë, s’ka lejuar asnjë qeveri ta konsumojë mandatin e plotë, kanë ndryshuar partnerët qeverisës, kryeministra e ministra por, në thelb, pak ose aspak s’kanë ndryshuar modelin qeverisës.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni funksionimin e Kuvendit dhe rolin e tij në proceset e rëndësishme?
Kryeziu: Mungesa e kuorumit është problemi më i madh me të cilin ballafaqohet Kuvendi, meqenëse tash e sa kohë nuk ka shumicë parlamentare në Kuvend dhe, si pasojë, nuk arrin ta luajë mjaftueshëm rolin e tij përfaqësues, ligjvënës e as mbikëqyrës. Vetëm në muajin maj, për shkak të mungesës së kuorumit, kanë dështuar tetë mbledhje.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për qeverisjen e deritashme dhe rolin e opozitës?
Kryeziu: Sikurse, qeveria dhe opozita janë medalje me dy anë. Ka pasur vendime të rëndësishme të cilat qeveritë paraprake me vite qeverisje s’kanë arritur t’i shtyjnë tutje. Shpeshherë duke i mbajtur ato vendime peng të interesave partiake. Sikurse ka dhe vendime të cilat janë përcjell me shumë kritika dhe pa llogaridhënien e mjaftueshme për publikun.

“Epoka e re”: Muajin e ardhshëm është paralajmëruar një takim i kryeministrit Haradinaj me kancelaren Merkel. Çfarë do të thotë ky takim për Kosovën? Dhe cilat janë pritjet për Samitin e Parisit që do të mbahet më 1 korrik?
Kryeziu: Takimi me Merkelin do t’i shërbej Kosovës për ta përgatitur Samitin e Parisit, por edhe për ta adresuar agjendën e saj të integrimeve evropiane, veçanërisht liberalizimin e vizave. Derisa nga Samiti i Francës besoi se do të jetë një pikë kthese nga dy shtetet për t’iu rikthyer tryezës së dialogut, përmes së cilës do të synohet potencialisht arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino beson se sulmuesi Harry…