Samiti i Parisit për Ukrainën, BE e ndarë për planin franko-britanik

28 mars 2025 | 08:35

Liderët evropianë kanë pohuar mbështetjen e tyre për Ukrainën në samitin e Parisit dhe ranë dakord që sanksionet ndaj Rusisë nuk duhet të hiqen derisa të arrihet paqja, por mbetën të ndarë në qëndrime mbi planin franko-britanik.

Presidenti Emmanuel Macron njoftoi një plan për të dërguar forca sigurie nga disa vende evropiane me bazë në zona të caktuara strategjike në Ukrainë në rast të një traktati paqeje me Rusinë. Sipas tij këto forca do të vepronin si një pengesë kundër agresionit të mundshëm rus, u tha ai gazetarëve gjatë një konference shtypi pas samitit për Ukrainën të enjten në Paris.

“Këto forca sigurie nuk kanë për qëllim të jenë forca paqeruajtëse pasi ato nuk do të zëvendësojnë Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe nuk do të pozicionohen në vijën e frontit, por në qytetet strategjike dhe bazat. Ky propozim do të punohet nga shefat tanë të shtabit ushtarak në javët e ardhshme për të përcaktuar hartën dhe formatin e këtyre dislokimeve. Këto forca sigurie në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojnë përpjekjet tona në krahun lindor të NATO-s, por do të vinin si shtesë”, deklaroi Macron.

Çështja e dërgimit të trupave në Ukrainë ka krijuar përçarje të forta midis aleatëve të BE-së dhe NATO-s.

Udhëheqësi francez tha se jo çdo vend në samit u pajtua me këtë plan. “Nuk është unanim, por ne nuk kemi nevojë për unanimitet për ta arritur atë”, tha ai

Italia dhe Polonia refuzuan të marrin pjesë në këtë plan, ndërsa Macron theksoi se Evropa duhet të përgatitet për një skenar ku duhet të veprojë e pavarur nga SHBA.

Presidenti francez njoftoi gjithashtu dërgimin e një “skuadre franko-britanike në Ukrainë” për të “përgatitur formatin e ushtrisë së nesërme ukrainase” për të analizuar se çfarë lloj pajisjesh do t’i nevojiteshin Kievit për të penguar çdo sulm të mëtejshëm rus.

Samiti vjen në një kohë kur SHBA ka filluar të heqë disa sanksione ndaj Moskës dhe në mes të përpjekjeve për të ndërmjetësuar një armëpushim, të nxitur nga presioni i Presidentit të SHBA Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, tashmë në vitin e saj të katërt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas përfundimit të procesit të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve…