Samiti i Procesit të Berlinit i kushton Shqipërisë rreth 1 milion euro
Procesi i Berlinit në Tiranë, një ngjarje e madhe e politikës për Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian, është festë, sigurisht prestigj, por kushton.
Samiti i 16 tetorit bashkë me organizimet paraprirëse në kuadër të tij i kanë kushtuar Shqipërisë 112 milionë lekë apo rreth 1,1 milion euro.
Konkretisht, 61 milionë lekë të akorduara në muajin shkurt shkuan kryesisht për Ministerialin dhe Forumin Ekonomik, ndërsa 51 milionë i janë dedikuar vetëm ngjarjes të së hënës, që vjen në ambientet e reja të Piramidës.
Vendimet e publikuara në Fletoren Zyrtare tregojnë se paratë për këto shpenzime do të merren nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit, shkruan mediat në Shqipëri. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve janë për infrastrukturën e dedikuar, si pritëse ashtu edhe akomoduese të liderëve. Gjithashtu, një pjesë e parave shkojnë për sigurinë dhe ushqimet që do u shërbehen të ftuarve jo të zakonshëm.
Të paktën në pesë vitet e fundit, Samiti i Procesit të Berlinit është organizimi shtetëror me shpenzimet më të larta, ndjekur nga Samiti i Diasporës në vitin 2019, ai i Bashkimit Europian vitin e shkuar dhe Samiti Digjital në vitin 2020.
Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se vitin e shkuar janë shpenzuar më shumë para nga Fondi Rezervë për organizime të ngjashme, në vlerën e 112,1 milionë lekëve. Gjatë vitit 2021 u shpenzuan 98,5 milionë lekë, në 2020, 85,3 milionë.