Samiti i Londrës mblidhet për Ballkanin Perëndimor
Disa deputetët britanikë, pjesë e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Ulët të parlamentit anglez, i kërkojnë kryeministres May të marrë në dorë integrimin e Ballkanit Perëndimor, për të ndalur influencën ruse.
Në Samitin e Londrës, i cili do të mbahet në kuadër të procesit të Berlinit më 9 dhe 10 korrik, në “Chatham House”, të organizuar nga Instituti Mbretëror Britanik për Çështje Ndërkombëtare, pritet të diskutohen tema të rëndësishme për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Tema qendrore i këtij Samiti do të jetë, “Përtej Berlinit: Çfarë do të sjellë dekada e ardhshme për Ballkanin Perëndimor?
Në këtë rast, folësit do të jenë zyrtarë të nivelit të lartë të BE-së, si dhe ekspertë nga Europa dhe rajoni, ndërsa tema kryesore do të jetë e ardhmja e Procesit të Berlinit dhe ndikimi i aktorëve jashtë BE-së, Rusia, Turqia, SHBA, në rajonin e Ballkanit. Deputetët britanikë kërkojnë, që kryeministrja e tyre, Theresa May të mbajë një qëndrim pozitiv, kundrejt këtyre vendeve. Por afrimi i Ballkanit Perëndimor, kërkon edhe një luftë të madhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Theresa May duhet të luajë rolin udhëheqës në pranimin në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit pas Brexit, paralajmërojnë deputetët. Theresa May është nxitur të luajë një rol udhëheqës në ofertën e pranimit në Bashkimin Europian, të të ashtuquajturve, gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, përpara një samiti kyç në Londër javën e ardhshme.
Komiteti i Punëve të Jashtme (FAC) i bëri thirrje Kryeministres të ndihmojë vendet e Ballkanit në kërkesat e tyre për anëtarësimin në BE dhe i kërkoi qeverisë të zhvillojë një plan veprimi “të besueshëm dhe të pavarur”, 10-vjeçar për marrëdhëniet e tij me kombet ballkanike, në kohën e presionit të vazhdueshëm nga Rusia. Deputeti konservator Tom Tugendhat, kryetar i FAC, e komentoi këtë çështje, duke deklaruar: “Ballkani Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga vitet 1990, kur rajoni u përfshi nga dhuna”.
Por Ballkani Perëndimor, duhet të bëjë më shumë nëse ata duhet të kualifikohen për anëtarësim në Bashkimin Europian. “Kundërshtarët nga disa vende anembanë botës do të dëmtojnë interesat e tyre dhe ato të shteteve fqinje të Bashkimit Europian. Mbretëria e Bashkuar ka një rol në mbështetjen e tyre edhe pas largimit nga BE-ja”, -tha ai. Udhëheqësit e Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë Veriore, Bosnjes dhe Herzegovinës, Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi, do të takohen me politikanët britanikë, duke përfshirë Theresa May dhe Angela Merkel, në Londër javën e ardhshme, për të diskutuar çështjet kryesore, përfshirë edhe pranimin në Bashkimin Europian.
Z. Tugendhat komentoi mbi samitin, duke deklaruar: “Është një shenjë e mirëpritur që Britania e Madhe dhe partnerët e saj të BE-së, janë të përkushtuar për të ndihmuar rajonin në rrugën e saj drejt paqes dhe prosperitetit”. FAC, megjithatë, ka shprehur shqetësimin se korrupsioni, autoritarizmi dhe krimi i organizuar vazhdojnë brenda shumë vendeve të Ballkanit. Një raport i botuar nga komiteti deklaroi: “Disa ekspertë besojnë, se shtetet e Ballkanit po përkeqësohen dhe se aktorët e jashtëm si Rusia, janë të gatshëm dhe në gjendje të përkeqësojnë situatën”.
Komiteti gjithashtu paralajmëroi se pranimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, mund të jetë “i gjatë dhe i avashtë për shkak të hezitimit të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj”. Ai kërkoi gjithashtu që Mbretëria e Bashkuar të krijojë një “grup të fuqishëm angazhimesh që mund të bëjnë një ndryshim real” në rajon në samitin e pestë vjetor të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, i cili do të fillojë të hënën. Zonja May tha se samiti do të trajtojë çështjet që përfshijnë stabilitetin ekonomik, krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe do të krijojë bashkëpunim politik mbi mosmarrëveshjet në vazhdim, në këtë rajon.
Duke komentuar më parë për angazhimin e saj në rajon, ajo tha: “Mbretëria e Bashkuar ka një angazhim të gjatë dhe të përhershëm në rajon, të parë përmes rolit tonë udhëheqës në luftërat e viteve nëntëdhjetë, marrëveshjet e paqes që pasuan dhe tranzicionin pas konfliktit, unë dua t’ju siguroj se kjo do të vazhdojë”. Duke folur gjatë vizitës së saj në Republikën e Maqedonisë Veriore, ajo tha: “Vitin tjetër, Britania e Madhe do largohet nga Bashkimi Europian, por nuk po lëmë Europën. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë për të mbrojtur sigurinë tonë kolektive dhe për të mbrojtur vlerat europiane, që aq shumë janë të nevojshme në Maqedoni dhe në pjesën më të gjerë të Ballkanit Perëndimor”-përfundoi deputeti konservator, Tom Tugendhat.
Paneli i diskutimeve
Në panelin e parë të dedikuar për të ardhmen e procesit të Berlinit, fjalimet hyrëse do të mbahen nga Johannes Hahn, Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë dhe Nikola Dimitrov, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë. Panelistët do të shkëmbejnë mendime se si procesi i Berlinit ka përparuar që nga Samiti i parë deri më sot dhe ku ata shohin të ardhmen e kësaj iniciative, cilat janë arritjet konkrete dhe nëse ka ndonjë dështim të procesit. Ata gjithashtu do të diskutojnë se si BE-ja mund të përmirësojë komunikimin me qytetarët dhe elitat politike të Ballkanit Perëndimor.
Diskutimi do të ndiqet nga Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Zoran Nechev, Shefi i Qendrës për Integrimin në BE. Paneli do të moderohet nga profesori Richard Ëittman i “Chatham House”. Në panelin e dytë, të dedikuar për ndikimin e aktorëve të tretë në Ballkanin Perëndimor, fjalimet hyrëse do të jepen nga Catherine Ashton, këshilltare e lartë e “Chatham House” dhe ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Sigurinë, e cila gjithashtu ka vepruar si ndërmjetës në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.