Samiti në Shkup, Kosova dhe Serbia mos ta ndërpresin komunikimin
Në samitin e Bërdo-Brionit, të mbajtur në Shkup, më 11 shtator, Kosovës dhe Serbisë u është bërë thirrje që të mos ndërpresin komunikimin, përderisa samiti është fokusuar në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në një konferencë për media, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq është pyetur nëse është më e rëndësishme zgjidhja e çështjeve të hapura për shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian apo plotësimi i kritereve për anëtarësim. Ai ka thënë se të dyja janë të rëndësishme.
“Ekzistojnë çështje të hapura, veçanërisht mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën. Këto janë dy procese që zhvillohen paralelisht dhe në të njëjtën kohë dhe dua të ritheksoj se mendoj që bisedimet kanë vlerë dhe më e keqja ndodh kur ndërpriten linjat telefonike, ajo është vdekje, vdekje për dialogun, për komunikimin për mirëkuptimin e ndërsjellë, por edhe për keqkuptimin, kur ndodh diçka e tillë. Një nga momentet më të rëndësishme në kohën e fundit ka të bëjë me identitetin dhe vetë respektin e vendeve të këtij rajoni, kjo është kur Ukraina mori statusin e kandidatit para Bosnje e Hercegovinës, kjo ishte e pashpjegueshme, por ja që ndodhi”, ka thënë Millanoviq.
Në takimin e Bërdo-Brionit kanë marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Këtë samit, presidentja Osmani e ka cilësuar si një prej takimeve “më konstruktive të procesit të Bërdo-Brionit që e kemi pasur ndonjëherë”, duke theksuar se kryefjalë e samitit ishte integrimi evropian.
“Çështjet bilaterale që i kemi me Serbinë, diskutohen në forume të tjera”, ka thënë Osmani kur është pyetur nëse është diskutuar për raportet Prishtinë-Beograd.
Ajo sërish ka fajësuar Serbinë se ka nxitur tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, teksa shtoi se masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për shtensionim, duhet të hiqen. Kroacia, sipas saj, është një prej shteteve anëtare të bllokut, që duhet të jetë ndër të parat që kërkojë diçka të tillë.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka cilësuar takimin në Shkup si “korrekt dhe të mirë”, duke theksuar se aty nuk është folur për raportin e shtetit të tij me Kosovën.
“Prishtina dhe ne i lamë problemet tona për të enjten (takimi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi që do të mbahet në Bruksel), kështu që sot u fol më shumë për raportet e vetë rajonit të Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së sesa për çdo gjë tjetër”, tha Vuçiq, duke shtuar se në takimin e liderëve u diskutua për mundësitë ekonomike dhe për tejkalimin e problemeve në të ardhmen.
Në anën tjetër, presidenti maqedonas, Pendarovski, gjatë konferencës për medie me Millanoviqin dhe presidenten sllovene, Pirc Musar, ka thënë se në raport me aspirata e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ekziston një disbalancë e madhe ndërmjet kritereve tradicionale për hyrje në bllok dhe marrëdhënieve bilaterale me së paku dy fqinjët e Shkupit.
“Shpresojmë se kjo do të ndryshojë së shpejti, sepse nëse në Ballkanin Perëndimor insistoni që mosmarrëveshjet thjesht bilaterale të zgjidhen, veçanërisht nëse ato bazohen në histori dhe emocione, atëherë asnjë vend nga Ballkani Perëndimor nuk do të hyjë kurrë në Bashkimin Evropian”, është përgjigjur ai në pyetjen se a është më e rëndësishme zgjidhja e çështjeve politike mes shteteve që synojnë anëtarësimin në bllok apo plotësimi i kritereve që kërkohen nga Brukseli.
Ndërsa presidentja e Sllovenisë, Pirc Musar, ka thënë se e ardhmja e të rinjve mbetet në fokus të zhvillimeve të vendeve të rajonit. Ajo ka theksuar se pas samitit të Bërdo-Brionit do të iniciohen hapa konkretë, sikurse përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj katastrofave natyrore, raporton “Rel”.
“Kemi identifikuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në roamingun e Evropës, si dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmin e Bashkimit Evropian për përgjigje ndaj katastrofave natyrore”, ka thënë ajo.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.
Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.
Presidenti Pendarovski, të dielën, ka organizuar një darkë për presidentët e shteteve pjesëmarrëse me përjashtim të presidentit të Serbisë, Vuçiq, i cili pjesëmarrjen e ka paralajmëruar për të hënën, ditën e mbajtjes së samitit.
Udhëheqësit e shteteve të procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.
Në samitin e vitit të kaluar, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, pjesë e konkluzioneve të miratuara ishte thirrja drejtuar Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024, ndërsa Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar.