Samiti ShBA-Kore e Veriut, i mundur
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ka thënë se samiti ndërmjet Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) është i mundshëm dhe se duhet të përqendrohet në ndalimin e kërcënimit bërthamor në Gadishullin Korean.
Mooni planifikon të takojë udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, muajin e ardhshëm, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë po ashtu se do të takonte Kimin në fund të muajit maj.
“Samiti Kore e Veriut – ShBA do të ishte një ngjarje historike”, ka thënë Mooni.
Zyrtarët në Seul kanë thënë se fshati kufitar Panmunxhom, ku pritet të takohen Moon dhe Kim, mund të jetë edhe vendtakim për Trumpin dhe Kimin.
Koreja e Jugut dhe ShBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake muajin e ardhshëm, pas shtyrjes së tyre deri pas Olimpiadës Dimërore të organizuar nga Jugu. (Rel)