Sampdoria befason Milanin
Milani pësoi humbje të papritur nga Sampdoria (1-0). Milani e nisi në mënyrën më të keqe sfidën, teksa pas vetëm 33 sekondash e ka parë veten në disavantazh. Defrel shënoi për vendasit, duke çuar në festë tifozët e tij. Gjithsesi, meritat e golit i kishte padyshim Donaruma, i cili bëri një gafë të pabesueshme dhe amatoreske.
Kuqezinjtë u munduan të reagonin pas golit, por nuk arritën të dilnin në lojën e tyre thuajse për asnjë çast, me pjesën e parë që u mbyll me avantazhin e vendasve. Fraksioni i dytë nisi me ndryshime për Gattuson, i cili aktivizoi menjëherë Kontin, ndërsa më vonë në fushë zbriti dhe Cutrone.
Pavarësisht dëshirës, “djalli” nuk shfaqi asgjë më shumë dhe deri në fundin e takimit nuk ndryshoi asgjë, me Milanin që merr humbjen e dytë radhazi pas asaj në derbi dhe fillon të dridhet për sa i përket pozitave në renditje, ku lufta për një vend në Champions sa vjen e bëhet dhe më e fortë.