San Antonio fiton në sekondat e fundit ndaj Phoenixit
Janë luajtur vetëm tri ndeshje së fundmi në NBA, por nuk ka munguar spektakli dhe emocionet.
Në Konferencën e Perëndimit, ekipi i San Antonio fitoi në sekondat e fundit 115-114 ndaj Phoenix, në një ndeshje mjaft emocionuese.
Vendasit e Phoenix bënë një pjesë të parë shumë të mirë, duke shkuar deri në 18 pikë avantazh, ndërsa miqtë në pjesën e dytë jo vetëm që rikuperuan, por në fund arritën të përmbysnin rezultatin, duke triumfuar me një pikë më shumë. Keldon Johnson me 27 pikë bëri diferencën për Spurs në këtë sukses, duke i bërë të pavlefshme 26 pikët e Kevin Durant për Suns. Po në këtë konferencë nuk zhgënjen Los Angeles Clippers, që falë 27 pikëve të veteranit Paul George, mundi 118-102 Orlando Magic.
Një ndeshje e ekuilibruar në përgjithësi, por vendasit kalifornianë e bënë diferencën në periodën e tretë, ndërsa të katërtën thjesht menaxhuan avantazhin. Për miqtë mungoi lojtari lider, në një ndeshje ku Banchero realizoi 15 pikë.
Ndërsa në Lindje, jashtë fushe fitoi skuadra e New York, që mundi 109-91 Cleveland, në një sfidë të dominuar nga miqtë. Bronson e Rundle, me nga 19 pikë secili, u dalluan për Knicks, duke i bërë të pavlefshme 26 pikët e Donovan Mitchell.