Sanchez bëhet futbollisti më i paguar në histori të Premier Ligës
Alexis Sanchez është bërë futbollisti me pagën më të lartë në historinë e Premier Ligës pasi nënshkroi kontratën me Manchester Unitedin.
Kiliani, që iu bashkua sot 20 herë kampionit anglez, ka nënshkruar kontratë katërvjeçare e gjysmë me pagë vjetore prej 23 milionë funtesh.
Si rezultat, ish-ylli i Arsenalit zëvendëson Wayne Rooneyn në listën e fituesve më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë Premier Liga. Rooney sa ishte tek Unitedi fitonte 300 mijë funte në javë, ndërsa Sanchezi fiton 450 mijë funte në javë.
Pas tyre vjen Paul Pogba i Unitedit që fiton 290 mijë funte në javë, ndërsa Radamel Falcao fitonte 265 mijë funte në javë në sezonin e tij të vetëm tek Unitedi.
Belgu Romelu Lukaku është pas tyre me pagë 250 mijë funte në javë, ndërsa Zlatan Ibrahimoviq, Sergio Aguero dhe Yaya Toure fitojnë nga 220 mijë funte në javë.
Në botë, Lionel Messi besohet se paguhet më së shumti. Ai fiton 500 mijë funte në javë.