Sanchezi siguron mbështetjen katalane për të mbetur në pushtet
Pedro Sanchez ka siguruar mbështetjen thelbësore që i nevojitej për të qëndruar në pushtet si kryeministër i Spanjës.
Të enjten, partia separatiste katalane Junts i ka dhënë mbështetjen e saj socialistëve të Sanchezit për të formuar një qeveri, katër muaj pas zgjedhjeve ku asnjëra parti nuk ka fituar një shumicë të përgjithshme në Parlamentin e Spanjës, raporton “Politico”.
Në këmbim të mbështetjes së shtatë ligjvënësve të Junts, socialistët e kryeministrit kanë rënë dakord të propozojnë një ligj të ri që jep një amnisti të plotë për të gjithë të përfshirët në referendumin e dështuar të pavarësisë së Katalonjës në vitin 2017.
Nga Projektligji i amnistisë, i cili pritet të miratohet me mbështetjen e aleatëve të krahut të majtë të Sanchezit, si dhe partive separatiste baske dhe katalanase, mund të përfitojnë deri në 1 500 persona të dënuar ose aktualisht në gjyq për pjesëmarrjen e tyre në veprime të ndryshme separatiste, disa prej të cilave u zhvilluan vite para ose pas votimit të pavarësisë.
Edhe pse askush nuk e ka parë ende tekstin përfundimtar të atij projektligji, i cili do të dorëzohet në Parlamentin spanjoll javën e ardhshme, përmbajtja e tij tashmë është duke shkaktuar tensione brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë kësaj jave mijëra protestues kanë rrethuar vazhdimisht selinë e Partisë Socialiste në Madrid, duke kërkuar me zemërim që Sanchez të mos e miratojë marrëveshjen e amnistisë.
Ndërsa Partia Popullore e qendrës së djathtë ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme në çdo qytet të madh në Spanjë këtë të diel.
Edhe në Bruksel, projektligji ka tërhequr vëmendjen e komisionarit evropian për drejtësinë, Didier Reynders, i cili të mërkurën i ka dërguar një letër ministrave të drejtësisë dhe presidencës spanjolle, ku është thënë se lajmet për amnistinë kishin ngritur shqetësime serioze.
Duke iu përgjigjur në një mesazh të shkurtër Reynders, ministri i presidencës së Spanjës, Felix Bolanos, ka vënë në dukje se Qeveria e Spanjës aktualisht po përmbush funksionet kujdestare dhe për këtë arsye nuk mund të propozojë asnjë ligj.
“Çdo projektligj që mund të regjistrohet në Kongresin e Deputetëve (Parlamenti i Spanjës) do të vijë nga grupet parlamentare dhe jo nga këshilli i ministrave”, ka shkruar Bolanos.
Marrëveshja e së enjtes është lidhur pas javësh negociatash të tensionuara midis përfaqësuesve të Partisë Socialiste të Sanchezit, aleatëve të tij në koalicionin e krahut të majtë Sumar dhe liderit de fakto të Junts, ish-presidentit katalanas, Carles Puigdemont, i cili jeton në mërgim të vetëimponuar në Belgjikë që kur ka ikur nga Spanja më 2017.