Sanchezi te Unitedi, Mkhitaryani te Arsenali
Pas transferimit të paralajmëruar të Coutinhos te Barcelona, tregu i dimrit në futbollin evropian solli marrëveshjen më të bujshme të vitit 2018, që përfshin dy lojtarë elitarë.
Alexis Sanchez kompletoi firmën te Manchester United, një operacion që do t’i kushtojë “Djajve të Kuq” 35 milionë paund, 20 për Arsenalin dhe 15 për agjentin e sulmuesit kilian. Investimi i bujshëm i skuadrës që synon titullin kampion në Angli u bë kur Sanchez ishte duke firmosur me Manchester City, një surprizë e pakëndshme dhe e radhës në karrierë që Mourinho i bën homologut të tij Pep Guardiola.
Sanchez do të fitojë 450 mijë paundë në javë në “Old Trafford”, për këtë sezon dhe 4 të tjerët në vazhdim.
Marrëveshja u kompletua këtë të diele, pasi armeni Henrik Mkhitaryan pranoi të braktisë Unitedin për t’u transferuar te Arsenali. Mesfushori u pa në Londër me agjentin Mino Raiola për vizitat mjekësore. Zyrtarizimi i të dy futbollistëve do të bëhet vetëm mbrëmjen e së hënës, pasi ata të kalojnë burokracitë e famshme të Britanisë së Madhe për marrjen e lejes së punës. (Top Channel)