Sanije Krasniqi: Në FFK punohet me hapa gjigant
Përkundër shumë peripecive Federata e Futbollit e Kosovës viteve të fundit ka vazhduar me realizimin e projekteve madhore, të cilat kanë ndikuar në rritjen e hovshme të futbollit në vendin tonë. Së fundmi shtëpia më e madhe sportive në vend është duke u ballafaquar me zhagitjen e procesit të licencimit nga Ministria e Sportit, gjë e cila ka bërë që të rriten edhe zërat e grupeve të interesit kundër FFK-së.
Së fundmi nga individë dhe grupe të interesit janë goditur edhe sektorët e kësaj federate veç e veç. Ngecje sipas tyre ka pasur edhe në sektorin e edukimit. Megjithatë, drejtoresha e këtij sektori në FFK, Sanije Krasniqi, ka thënë se puna në këtë sektor dhe në përgjithësi në federatë vazhdon me hapa gjigant.
“Sa i përket sektorit të edukimit ku edhe jam përgjegjëse, jam shumë e kënaqur me punën tonë, si në zyre/administratë ashtu edhe në terren/praktikë. Ne jemi të trajnuar dhe pranuar në Koneventën e Trajnerëve pikërisht nga UEFA, në mënyrë që të zhvillojmë edukimin e trajnerëve në Kosovë. E në këtë drejtim lehtësim i madh për ne ka qenë ndërtimi i Kampit Nacional në Hajvali, ku tashmë i kemi të gjitha mundësitë për mbajtjen e trajnimeve dhe të gjitha aktivitetet tjera”, tha Krasniqi.
Ajo më tej ka treguar edhe numrin e trajnerëve të licencuar nga FFK.
“Në edukim kemi avancuar shumë edhe me edukime të edukatorëve në UEFA, e që sipas meje ndikon në përmirësimin e trajnimeve për trajnerët në Kosovë. Deri më tash kemi licencuar 421 trajnerë me Licencën C, 153 me Licencën B janë licencuar 153 trajnerë, derisa me licencën C GK janë licencuar 46 trajnerë të portierëve. Gëzon fakti se në mesin e tyre janë edhe 13 gra që janë pajisur me licenca në të gjitha nivelet”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka bërë të ditur se shumë shpejt FFK do të fillojë edhe me ndarjen e Licencën A, teksa ka treguar rrugën që duhet të arrihet deri te Licenca UEFA Pro.
“Parapërgatitjet për Licencën A janë bërë në vitin 2020, por pandemia Covid-19 ka ndikuar që të shtyhen të gjitha proceset edhe me UEFA-n. Fillimisht duhet të plotësohet numri i trajnerëve me Licencën B në Kosovë, në mënyrë që ne të mund të fillojmë me Licencën A. Pas takimeve të fundit që kemi pasur me zyrtarët e UEFA-s, procesi i edukimit me Licencën A pritet të fillojë në pjesën e dytë të vitit 2023. Më pas e njëjta procedurë shkon edhe për Licencën UEFA Pro. Pra, duhet që të mbahen disa trajnime për Licencën A, në mënyrë që të kemi një numër të trajnerëve të licencuar në Kosovë nga FFK, në mënyrë që të fitohet e drejta për fillimin e përmbushjes së kritereve për Licencën UEFA Pro”, ka shtuar ajo.
Tutje ajo ka folur edhe për zhvillimin e futbollit të femrave, që po ashtu së fundmi nga individë jashtë FFK-së u vlerësua se ka ngecje. Ajo me gjuhën e argumenteve ka folur për të gjitha projektet, të cilat i përgenjështrojnë të gjitha ato që thuhen.
“Në FFK vazhdohet të punohet pa u ndalur. Projektet për zhvillimin e futbollit të vajzave/grave kanë qenë dhe janë të shumta, pasi rritja e futbollit të vajzave/grave është prioritet i KE të FFK-së, por edhe i UEFA-s e FIFA-s. Projektet si ‘Rekrutimi i vajzave të reja në futboll’ dhe ‘Women Development Programme’ kanë pasur ndikim në rritjen dhe masovizimin e futbollit tek vajzat. Tani kemi projektin e futbollit në shkolla nëpër të gjitha regjionet, me të dy gjinitë e moshës 9 vjeçare. Pastaj, projektin e ri ‘Playmakers’, po ashtu i shtrirë në të gjitha regjionet, me pjesëmarrjen e vajzave të moshës 5-vjeçare, derisa prej këtij viti pjesë e projektit ‘Elite Youth Development’ përveç meshkujve do të jenë edhe vajzat e vitit të lindjes 2009. Mos të harroj këtu edukimin e trajnereve të reja, ku mundësia e shkollimit për vajzat është pa pagesë në kurset e organizuara nga FFK. E një fakt që na gëzon është se për herë të parë të gjitha ekipet kombëtare të grave e vajzave udhëhiqen po nga trajneret gra e vajza”, tha tutje Krasniqi.
E të gjitha projektet e deritashme sipas Sanije Krasniqit kanë ndikuar që pas Kombëtares U17 të krijohet edhe Kombëtarja U15, si dhe të bëhet formatimi i ligave, ku tani garohet në Superligë, Ligën e Parë dhe Ligën U17. Ajo nuk la pa përmendur edhe rritjen e grave edhe në segmentin e ndarjes së drejtësisë, ku tani për herë të parë një treshe e gjyqtareve është licencuar me stemën e FIFA-s.