Sanksionet e ShBA-së s’na pengojnë ta luftojmë COVID-in
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se sanksionet e Shteteve të Bashkuara nuk i kanë dëmtuar kapacitetet e këtij vendi në luftën kundër koronavirusit.
“Nuk jemi përballur me asnjë problem sa i përket unitetit, menaxhimit të mirë dhe stafit profesional mjekësor”, tha Rohani gjatë një takimi të kabinetit qeveritar.
“Irani nuk ka asnjë problem sa i përket sigurimit të monedhës së huaj deri në fund të vitit”, shtoi ai.
Sanksionet e Shteteve të Bashkuara ia kanë ndërprerë Iranit të ardhurat nga nafta dhe ia kanë shkatërruar ekonominë.
“Kemi rezerva të mjaftueshme të mallrave thelbësore për muajt e ardhshëm. Ministrat e Bujqësisë dhe Tregtisë kanë dhënë raporte shumë premtuese për situatën gjatë muajve të ardhshëm”, tha Rohani.
Komentet e tij vijnë në kohën e thirrjeve të shtuara të zyrtarëve iranianë, por edhe të disa vendeve të tjera për t’i lehtësuar sanksionet kundër Republikës Islamike, e cila po përballet me një shpërthim të madh të koronavirusit.
Deri më tani në Iran janë shënuar 3 294 viktima nga koronavirusi dhe 53 183 janë të infektuar. /Ora News.tv/