Sapo u paraqit virusi në Kinë, në Kosovë morëm masa
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK-së), Naser Ramadani, ka bërë me dije se ende nuk ka kaluar pandemia dhe se qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes dhe të mos dalin jashtë pa pasur punë.
Ai ka folur për përgatitjet që i ka bërë IKShPK-ja që nga 1 janari i këtij viti. “Ne kemi bërë shumë përgatitje që nga paraqitja e virusit në Kinë. Kemi filluar testimin më 8 shkurt dhe kemi qenë një ndër shtetet e para në botë që kemi filluar testimin. Tani situata epidemiologjike është nën kontroll. Tani kemi rrethana lehtësuese, por jo të lirohemi nga përmbajtja e rekomandimeve të IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai sot në Radio Televizionin e Kosovës. Sipas tij, COVID-19 paraqet një kthesë historike të civilizimit jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe në të gjitha aspektet e jetës.
“Tani jemi në rrënjë të lakores”, tha ai.
Drejtori Ramadani i ka ftuar qytetarët të mos dalin si në tri ditët e fundit, e absolutisht pa masa mbrojtëse sepse, sipas tij, rastet e të infektuarve mund të paraqiten menjëherë.
(B. D.: ‘Epoka e re’)