Saraçini: Çdo gjë gati për kampionatin e rëndësishëm, IHF Trophy
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini ka thënë se çdo gjë është gati për kampionatin IHF Trophy për zonën evropiane, që javën tjetër mbahet në Prishtinë. Për të folur për këtë aktivitet me rëndësi dhe për ngjarjet tjera të këtij muaji, presidenti Saraçini të mërkurën ka mbajtur konferencë për shtyp në lokalet e FHK-së.
Saraçini ka theksuar se kjo është një tjetër mundësi e mirë për Kombëtaret tona U20 dhe U18. Ai ka kujtuar që përmes këtij aktiviteti, Kosova U21 disa vite më parë u kualifikua në Botërorin e juniorëve në Spanjë. Ishte paraqitje historike sa i takon sportiv kosovar, jo vetëm hendbollit.
IHF Trophy për zonën evropiane do të mbahet në Prishtinë, ndërsa do të marrin pjesë dhjetë ekipe kombëtare. Në të dy grupmoshat, fituesit kualifikohen në fazën interkontinentale. Dhe fituesit e fazës interkontinentale kualifikohen në Botëror.
“Federata e Hendbollit e Kosovës ka pasur një organizim të tillë edhe disa vite më herët, ku në bazë të rezultateve ka arritur që ekipi U20 respektivisht U21 pastaj, të jetë pjesë e Kampionatit Botëror i cili ishte organizuar në Spanjë. Tani Federata Ndërkombëtare e Hendbollit na ka kontaktuar dhe na ka ofruar që ta bëjmë këtë organizim dhe ky organizim ka të bëj me ndeshjet për Zonën Evropiane të IHF Trophy 2022 për dy kategori. Pjesëmarrëse në U18 janë Andorra, Bullgaria, Britania e Madhe, Kosova dhe Malta. Ndërkaq në U20 do të jenë Shqipëria, Bullgaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia dhe Kosova”, ka thënë presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
Ai ka treguar se kombëtaret tona janë grumbulluar tashmë dhe po ushtrojnë me ritëm të plotë në Istog. Më herët lojtarët ishin të grumbulluar në Gjakovë.
Për shkak të IHF Trophy dhe aktiviteteve tjera që mbahen gjatë tetorit, Saraçini ka thënë se ky është muaj i hendbollit.
Në konferencë mori pjesë edhe Edi Kolgeci, kryetar i Këshillit Organizativ të IHF Trophy.
“Përgatitjet kanë filluar qysh më herët dhe jemi munduar që së bashku me të gjithë, me presidentin, sekretarin dhe stafin e ferderatës, që organizimi të jetë sa më në nivel dhe besojmë që do të jetë një organizim mjaft i mirë dhe mjaft i bukur. Nuk është hera e parë që Federata e Hendbollit organizon ngjarje në këtë nivel. Presidenti e përmendi që faktikisht do të jenë 10 reprezentacione në total. Kemi përfunduar të gjitha përgatitjet sa i përket pritjes së sportistëve dhe personave zyrtarë. Do të kemi edhe pritjen e disa delegacioneve”, ka thënë Edi Kolgeci, anëtar i Bordit të FHK-së.
FHK-së i është besuar organizimi i IHF Trophy për shkak të raporteve të shkëlqyera me Federatën Ndërkombëtre të Hendbollit dhe për faktin se është dëshmuar si nikoqire shembullore në aktivitetet e kaluara të mbajtura në vendin tonë.
Presidenti Saraçini ka ftuar shikuesit që të përkrahin Kombëtaret tona, ndërsa është shprehur optimist për paraqitje të mira dhe të suksesshme.
IHF Trophy mbahet prej 11 deri më 15 tetor.
Gjatë këtij muaji dy ndeshje i luan edhe Kombëtarja A, me Malin e Zi dhe Slloveninë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Po ashtu grumbullohet Kombëtarja e hendbollisteve. Ndeshje evropiane kanë edhe klubet tona.