Saraçini: Evropiani është nivel tjetër, jemi gati

04 korrik 2023 | 11:40

Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini në një konferencë për media, foli lidhur me Kampionatin Evropian për hendbollistet deri në 19 vjet që fillon të shtunën në Prishtinë. Saraçini në konferencë ishte i shoqëruar nga Edi Kolgeci, anëtar i Bordit të FHK-së.

Saraçini ka thënë se kjo ngjarje është e nivelit më të lartë të organizuar deri më tani në sportet ekipore, ndërsa është kërkuar angazhim i madh i të gjithë të përfshirëve. Ai ka thënë se megjithatë të gjitha përgatitjet janë bërë dhe se Federata e Hendbollit e Kosovës është e gatshme që sërish të dëshmohet si nikoqire shembullore.

“Siç dihet këtë kampionat po e organizojmë ne sajë të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm që e kemi me Federatën Evropiane të Hendbollit. Vitin e kaluar kemi biseduar që ne ta organizojmë këtë kampionat, që është miratuar, dhe krejt kjo falë përvojë tonë të deritashme, respektivisht organizimeve që FHK-ja i ka bërë në nivel botëror dhe evropian të kampionateve të ndryshme në të dyja konkurrencat. Mund te them se përgatitjet kanë qenë mjaft komplekse dhe e gjithë zyra e federatës dhe vullnetaret kanë bërë një punë të shkëlqyer deri më tash, duke filluar nga vendosja, saktësisht përgatitje e hoteleve për pjesëmarrësit, organizimin e transportit si dhe të gjitha kushtet që kanë të bëjnë edhe më palestrat ku do të zhvillohen ndeshjet”, ka thënë Saraçini, i cili bëri me dije se shtetet pjesëmarrëse janë Sllovakia, Italia, Finlanda, Kosova dhe Britania e Madhe që janë në Grupin A, ndërsa Grupi B përbëhet nga Polonia, Letonia, Austria e Izraeli. Pra, gjithsej 9 ekipe evropiane do të marrin pjesë në këtë kampionat. Numri një i FHK-së konfirmoi se të gjitha ekipet kanë konfirmuar ardhjen dhe pas dy ditëve do të fillojnë arritjen në Prishtinë.

“Partneri kryesor i kësaj ngjarjeje, që ka kontribuar në këtë organizim, është MKRS-ja, ku me këtë rast falënderoj ministrin Çeku dhe zëvendësministren Osmani. Pastaj partner në këtë ngjarje është edhe Federata Evropiane, KOK-u por edhe të tjerë që kanë obligime dhe detyrime që i kanë marrë në kuadër të këtij organizimi, si policia, dogana, sigurimi, ekipet mjekësore. Është siç thashë një organizim mjaft kompleks, një nivel i ri i organizimit në kuadër të sporteve ekipore në Kosovë, ndoshta i vetmi deri më tani që është në nivel kaq të lartë dhe mendojmë që me të gjitha organizimet që i kemi bërë deri më tani dhe përvojën qe e kemi, mendojmë që edhe kësaj radhe të kemi rezultate pozitive”, ka shtuar ai.

“Dua të bëjë një ftesë për qytetarët e Prishtinës, por edhe gjithë Kosovës, në veçanti fansat e hendbollit, përfshirë lojtaret dhe lojtarët e klubeve, që këto ditë të kampionatit të jenë në palestër dhe t’i shikojnë ndeshjet që kanë një nivel më të lartë se që kemi pasur mundësi të kemi deri më tani në kryeqytet. Ekipi i Kosovës është në përgatitje e sipër dhe mendojmë se pavarësisht cilësisë së ekipeve pjesëmarrëse edhe Kosova do të jetë një ekip që do të garoj me dinjitet në këtë kampionat. Hyrja do të jetë falas, ndërsa palestra ku do të luhen ndeshjet është totalisht e ridizajnuar dhe do të jetë e kompletuar prej ditës së parë për të gjithë ata që duan ti shikojnë ato”, ka deklaruar Saraçini. Më 8 korrik bëhet hapja zyrtare e kampionatit rreth orës 18:30, para ndeshjes mes Kosovës dhe Sllovakisë. Saraçini shpreson që zyrtarët më të lartë të Republikës së Kosovës të marrin pjesë, pasi do të bëhet një ambient i bukur për të gjithë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar marrëveshje…