Saranda Bogujevci në Këshillin e Evropës tregon shenjat e plagëve në dorë nga lufta

09 tetor 2023 | 19:56

Bogujevci, të hënën mori pjesë në debatin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku u diskutua për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, raporton teve1.info

Ndërsa, gjatë përgjigjes së përfaqësueses në KiE, Biljanta Pantiq, e cila pretendoi se në Kosovë po ndodh spastrim etnik dhe se tensionet janë ngritur si pasojë e “regjimit të Albin Kurtit”, Bogujevci u çua në këmbë duke treguar shenjat në duar që i ka nga plumbat që kishte marrë nga ushtria serbe si 13-vjeçare në Kosovë.

Bogujevci tregoi për përjetimin e saj, duke theksuar se autorët e sulmit të asaj kohe sot janë pushtetarë në Serbi dhe të njëjtit nuk kanë kërkuar falje asnjëherë.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët tjera të trupit tim. E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, tha Bogujevci.

Saranda Bogujevci është e mbijetuar e masakrës së 28 marsit të vitit 1999, ku nga njësi paraushtarake serbe u vranë 16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria izraelite ka ndërmarrë një fushatë bombardimesh në Rripin e…