Sarrazin për Asociacionin: Mund të mos ketë ende marrëveshje
Me rastin e zgjatjes së mandatit të Bundeswehr-it gjerman në Kosovë, gazeta “Welt” ka publikuar një intervistë me Manuel Sarrazin.
I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por mbi të gjitha për ndikimin e Rusisë në rajon.
“Ndoshta nuk ka ende një marrëveshje mes dy palëve në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por tani, të paktën për herë të parë, ka koncepte në tryezë në mënyrë që interesat serbe nga njëra anë dhe aftësia e Kosovës për të vepruar si shtet nga ana tjetër mund të pajtohen. Deri më tani ka qenë gjithmonë vetëm një diskutim teorik”, ka thënë Sarrazin, duke shprehur njëkohësisht shpresën se, “nëse arrijmë të hyjmë në një proces pozitiv dhe të ndërtojmë besim reciprok, atëherë mund të shkojmë shumë larg”, ka thënë ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes për ndikimin e Moskës në Ballkan, Sarrazin ka thënë se Rusia nuk është e interesuar për zgjidhje paqësore.
“Është relativisht e qartë se Rusia nuk ka interes për një zgjidhje paqësore, por jo për të mbështetur Serbinë, por për të mbajtur Bashkimin Evropian të zënë me konflikte dhe për të minuar të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Sarrazin, duke shtuar se duhet pasur kujdes me vlerësimet.
“Në njërën anë, ne dëgjojmë se ndikimi rus, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, tani vjen drejtpërdrejt nga Moska, pra jo më përmes palëve të treta. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një justifikim i mirë për qeverinë serbe, sepse ajo mund të thotë: ‘Ne nuk kemi asgjë me këtë, janë rusët’. Është pak si ‘macja e Shrodingerit’: Rusia është brenda, por sa shumë, apo sa pak, nuk mund ta vërtetosh”, ka thënë Sarrazin.