Sarrazin takohet me kryetarin e LDK-së, Abdixhiku tregon se për çfarë biseduan
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në këtë takim, Abdixhiku ka thënë se ka shprehur domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës.
“Të dërguarin e posaçëm gjerman, e falënderova për mbështetjen e shtetit Gjerman dhënë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës përgjatë gjithë zhvillimeve të djeshme. Mesazhet e qarta dhe të pa ekuivok në momente të tilla janë domethënëse në përballjen me terroristë. Dhe këto mesazhe nuk i munguan vendit tonë. Shpreha qëndrimin mbështetës të LDK-së ndaj institucioneve të vendit, të sigurisë, rendit e ligjit, në veçanti ndaj djemve e vajzave të Policisë së Kosovës, të cilët me plot guxim e profesionalizëm përballën sulmin e djeshëm terrorist”.
“Shpreha po ashtu, domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve. Në këto momente, maturia politike e Kosovës, vendosmëria në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe bashkërendimi me miq e aleat janë kruciale në përballjen e çfarëdo provokimi. Kosovës i duhet mençuri dhe vendosmëri në kapërcimin e gjendjes së tanishme. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet vizion e unitet për rrugën përpara”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.