Sarri flet si trajner i Juventusit
Pas aventurës një vjeçare në Londër, ku drejtoi Chelsean dhe arriti të fitojë Ligën e Evropës, Maurizio Sarri rikthehet në Itali këtë herë për t’u ulur në stolin e kampionëve të Juventusit.
Zyrtarizimi i Sarrit në stolin bardhezi u bë pak ditë më parë, ndërsa vetëm sot tekniku doli para medieve, për të dhënë intervistën e tij të parë si trajner i Juventusit, një skuadër me të cilën rivalizoi për 3 sezone, kur drejtonte Napolin, raporton “SS”.
A është kjo zgjedhja më revolucionare në jetën tuaj?
Sarri: Nuk e di. Nuk e mendoj kështu, pasi duhet të kemi një ide të qartë për këtë diskutim. Tre vite më parë shkova te Napoli dhe dhashë gjithçka, pasi isha një tifoz i napolitanëve, që fëmijë. Kohët e fundit kisha një dyshim mes kënaqësisë që ndjeja kur drejtoja Napolin dhe logjikës që më thoshte se kjo eksperiencë kishte ardhur në fund. Kisha oferta edhe nga Italia atëherë, pro vendosa të shkoj një herë jashtë. Eksperienca në Premier Ligë ishte fantastike, por më pas erdhi oferta nga Juventusi, klubi më i rëndësishëm në Itali dhe nuk mund ta refuzoja. Mendoj se ky është një kurorëzim i një karriere që në 80% të saj ka qenë shumë e vështirë. Jam i bindur që i kam respektuar të gjithë, ndërsa tani duhet të respektoj edhe veten time.
Çfarë ndjesie ju dha thirrja e Juventusit?
Sarri: Ndjesia ishte e fortë dhe jo për kohën kur erdhi, por për mënyrën se si erdhi. Kam parë një shoqëri të vendosur dhe kompakte në vendimin për të afruar një trajner, gjë që e has për herë të parë në 30 vite.
Cilat janë objektivat tuaja te Juventusi?
Sarri: Pres që të zgjohem në mëngjes dhe të studioj se si të fitojmë ndeshjet. Juventusi ka detyrimin të futet në Champiopns me objektivin për të triumfuar në fund, por të njëjtat synime kanë edhe 8-9 klube të tjera të mëdha në Europë, ndaj kjo gjë bëhet e vështirë. Sa i përket kampionatit, përgjegjësia është më e madhe, pasi kjo skuadër fiton prej 8 sezonesh radhazi dhe duhet të mbrojë titullin.
Me çfarë moduli do të rreshtoni këtë skuadër?
Sarri: Moduli nuk është më i rëndësishmi. Fillimisht duhet të shohim se cilët janë 2-3 futbollistët që mund të bëjnë diferencën dhe pastaj do të përshtatim skemën në varësi të tyre, që të mund të marrim më të mirën. Unë zakonisht punoj kështu dhe të njëjtën gjë bëra edhe te Chelsea me Hazard, i cili mbylli një sezon fantastik.
Si ndiheni që jeni trajner i Juventusit?
Sarri: Emocioni është i fortë, por nuk është se vij nga klube amatore. Kam një karrierë që ka ardhur hap pas hapi dhe kam provuar klube të ndryshme. Mos harroni që vij nga Chelsea, një skuadër e madhe europiane, ndonëse me më pak histori se Juventusi. Mund ta quaj një hap të madh përpara emërimin tim këtu.
Te Juve do të trajnoni Ronaldon…
Sarri: Është një përshkallëzim edhe në këtë këndvështrim. Vitet e fundit kam stërvitur shumë futbollistë të fortë, te Napoli dhe te Chelsea, por Ronaldo është njëri që shkon gati-gati në majë të botës. Ka arritur thuajse të gjitha rekordet botërore dhe do të më pëlqente të ndihmoja të mposhtë të tjerët. Do të doja të ndikoja në këtë objektiv.
Sa peshon e shkuara juaj te Napoli?
Sarri: Unë kam kaluar 3 vite atje dhe gjatë gjithë kohës zgjohesha në mëngjes dhe mendoja tërë kohës se si të mposhtim Juventusin. Kam dhënë 110% dhe mendoj se kemi qenë rivali më i fortë i bardhezinjve, por nuk ia kemi dalë të fitojmë titullin. Ka qenë një rivalitet i fortë sportiv, por profesionalizmi im më ka sjellë te Juve dhe tani jam gati të bëj më të mirën këtu.
A ndihesh një tradhtar?
Sarri: Një lojtar i caktuar, që jeton në një ambient, bën deklarata të caktuara, pasi dëshiron të kalojë mirë aty ku është. Pastaj janë mesazhet private që thonë tërësisht të kundërtën. Unë jam një profesionist që bëj më të mirën në punën time, duke respektuar klubet ku punoj dhe duke dhënë 110%. Mendoj se ky është respekti. Të tjerat janë zgjedhje logjike, pa pasur vend për romanca.
Çfarë ju pëlqen nga të qenit trajner i Juventusit?
Sarri: Klubi përbëhet nga njerëzit dhe kam mbetur i befasuar pasi i kam parë të gjithë të bashkuar dhe kompaktë, pasi kjo është diçka vërtetë e rëndësishme. Më bën përshtypje marrëdhënia mes njerëzve. Më mjaftuan disa darka me ta, për të kuptuar se kam të bëj me një mentalitet të fortë dhe grup kompakt e të vendosur. Kjo besoj se është shumë.
Ka edhe skepticizëm mbi këtë eksperiencë tuajën…
Sarri: Mes skepticizmit kam shkuar edhe te Empoli në Serinë B, te Napoli e te Chelsea më pas, ndaj një dozë e vogël është e pranueshme. Megjithatë unë di të them se mënyra e vetme për të zhdukur skepticizmin është të fitosh vazhdimisht.
A mund të luajnë bashkë Ronaldo dhe Dybala?
Sarri: Futbollistë me cilësitë e tyre mund të luajnë kudo dhe të ndryshojnë interpretimin e ndeshjes, ndaj nuk është një problem.
Si mund të fitohet me Juventusin?
Sarri: Unë kam fituar pak dhe kryesisht në kategoritë e ulëta. Megjithatë mendoj se argëtimi në fushë duhet të kombinohet me fitoret. Historia ka treguar se zakonisht fitojnë trajnerë me filozofi dhe skuadra të kundërta.
Në bankinë do të qëndroni me tuta apo me xhaketë e kollarë?
Sarri: Nuk e di, pasi më duhet të bisedoj me klubin. Nuk kemi folur për këtë aspekt, por do ta diskutojmë. Rëndësi ka që në këtë moshë të mos më nxjerrin nudo.
Evidentoheni si një trajner me mënyra të ndryshme të të stërviturit të skuadrave…
Sarri: Ndryshojnë cilësitë e futbollistëve. Te Napoli kisha një grup shumë të fortë, që lëvizte topin me shpejtësi dhe bënim lojë argëtuese. Te Chelsea kishte një nivel shumë më të lartë teknik, por individë me cilësi të ndryshme. Nëse stërvit njësoj futbollistë të ndryshëm, është e sigurt që nuk do të marrësh të njëjtin rezultat. Edhe nëse tenton të ndryshosh karakteristikat e lojtarëve, atëherë rrezikon që ata të mos të të ndjekin, ndaj duhet t’u përshtatesh cilësive të tyre dhe të krijosh një ekip të ekuilibruar.
Çfarë pret pas ndeshjes Napoli-Juve?
Sarri: Nëse më duartrokasin është një histori dashurie. Edhe nëse më vërshëllejnë, është një histori dashurie dhe unë ju dua të mirën gjithmonë.
Koret raciste…
Sarri: Sa u përket koreve raciste, unë kam ndryshuare klub, por nuk ndryshoj ide. Në Itali është koha për t’u dhënë fund shfaqjeve të tilla të inferioritetit, qoftë duke ndërprerë edhe ndeshjet.
Keni planifikuar një udhëtim për të takuar Ronaldon…
Sarri: Do ta bisedojmë me Fabion këtë pasdite. Unë kam kërkuar që të takoj 2-3 futbollistë të skuadrës, për të ndarë me ta mendimet mbi situatën, pasi është mënyra më e mirë për të përgatitur një ide të qartë pune. Dua të kuptoj se çfarë mendojnë për veten e tyre futbollistët, duke filluar nga ata që mund të vendosin një ndeshje.
Çfarë të ka bindur te Juventusi?
Sarri: Unë kam 30 vite që negocioj dhe arrij të kuptoj menjëherë vendosmërinë dhe bindjen e një klubi, kur më afrohet. Këtë e pashë edhe te drejtuesit e Juventusit, pasi kishte detaje të vogla, por shumë domethënëse.
Cilët janë futbollistët që do të takoni?
Sarri: Mendoj se janë ata që vendosin fatin e ndeshjeve dhe zakonisht janë sulmuesit, që bëjnë historinë. Në 30 metrat e fundit ka futbollistë që bëjnë diferencën dhe të tjerë që nuk janë edhe aq të zotë. Duhet të nisemi nga ata që kanë talent për të marrë skuadrën për dore dhe “t’u veshim rrobën” e duhur për t’u mundësuar të shprehen në maksimum.
A bën pjesë Higuain në planet tuaja? A mund të luajë ai me Ronaldon?
Sarri: Higuainit i dua të mirën dhe mendoj se gjithçka varet nga ai. Momentalisht nuk kam folur, që pas festës në Baku, por ai është pjesë e Juves dhe natyrisht që do të bisedojmë. Për cilësitë teknike që disponon, mund të luajë në krah të kujtdo, por kur thashë që varet nga vetë Higuain, nënkuptova faktin që atij i ka rënduar shumë largimi nga Juventusi dhe ka pësuar një lloj shoku emocional, duke mos u shprehur mirë as te Milani dhe as te Chelsea. Nëse do të reagojë në mënyrën e duhur, atëherë është në rregull, pasi ka moshën për të luajtur edhe 2-3 sezone në nivele të larta.
A keni menduar për merkaton?
Sarri: Do të flas me Fabion. Unë dua t’u përcjell drejtuesve karakteristikat e lojtarëve për të cilët kam nevojë, pasi emrat i dinë ata më mirë. Jam i bindur që Fabio Paratici është më kompetent se unë në këtë drejtim.
Është komentuar shumë “gishti juaj i mesit” gjatë këtyre ditëve…
Sarri: Unë kam thënë shumë gjëra dhe bërë shumë të tjera, por natyrisht që edhe kam gabuar. Çështjen e gishtit të mesit e kam sqaruar që në konferencën për shtyp në përfundim të ndeshjes, ku theksova se kam gabuar dhe kërkova ndjesë. Nuk duhej ta bëja atë gjest ndaj 10-15 personave, që kurrsesi nuk përfaqësojnë tifozërinë e Juventusit.
Ku mund të përmirësohet Juventusi?
Sarri: Nuk bëhet fjalë për reparte apo për futbollistë të caktuar. Mënyra ime e të bërit futboll është ndryshe, por duhet parë se si mund të përshtatet me Juventusin, pasi në fund mund të përfundojmë duke grumbulluar më pak pikë. Duhet të kuptoj se ku duhet të ndërhyj dhe ku duhet të lë gjithçka në dorë të futbollistëve dhe karakteristikave të tyre. Është çështje filozofie, pasi për mendimin tim, Pjaniç duhet të prekë 150 topa në ndeshje, por varet a mund ta vendosim në ato kushte. Nëse rrit 3 fëmijë me të njëjtat principe, është e sigurt që nuk do të formohen 3 njerëz të njëjtë, ndaj kështu është edhe puna e lojtarëve, që me secilin duhet punuar në bazë të karakteristikave.