Sarri: Hazardi nuk largohet nga Chelsea
Edhe pse Real Madrid asnjëherë nuk ka hequr dorë për të marrë sulmuesin belg Eden Hazard, drejtuesit e Chelseat gjithnjë kanë refuzuar çdo ofertë, duke e konsideruar 26-vjeçarin të pashitshëm.
Presidenti Flrentino Perez, ka deklaruar se është gati bëjë një blerje të çmendur, me vlerën e 300 milionë eurove, por te Chelsea nuk tërhiqen mbrapsht. Ai që ka folur është trajneri Maurizio Sarri, që edhe një herë ka konfirmuar se Hazard nuk do të largohet pavarësisht këmbënguljes së skuadrës kampione të Europës. Trajneri italian shprehet se Hazard nuk do të ndjekë rrugën e patriotit të tij Thibaut Courtois, që u la i lirë të shkojë te skuadra “merengues”.
Në prag të ndeshjes që “blutë” e Londrës do të zhvillojnë ndaj Arsenal, trajneri Sarri deklaroi: “Kam folur shumë shpesh me Hazard gjatë 10 ditëve të fundit, por lojtari nuk më ka thënë asgjë për t’u larguar në të gjitha bisedat që kemik bërë. Unë jam 100% i sigurt se Eden do të jetë me ne përgjatë gjithë sezonit”, tha Sarri, që pritet ta hedhë në fushë që nga minuta e parë sulmuesin belg në ndeshjen ndaj “topçinjve”, në debutimin e trajnerit italian në “Stamford Bridge”.
Ai që do të mungojë në këtë ndeshje është Cesc Fabregas: “Ka një dëmtim të çuditshëm afër gjurit, por asgjë serioze. Unë besoj se do të jetë gati për ndeshjen e javës së ardhshme”, ka deklaruar Sarri