Sarri konfirmon mungesën e Ronaldos
Cristiano Ronaldo pritet të mungojë në ndeshjen e ardhshme të Juventusit. Trajneri Sarri në konferencën për shtyp konfirmoi një gjë të tillë.
Portugezi u kthye me probleme fizike nga impenjimi me kombëtaren, për këtë arsye po ndjek një program individual stërvitor, për ta lënë pas shqetësimin muskulor të javëve të fundit. Objektivi i stafit të bardhezinjve është të jetë i gatshëm për ndeshjen e Championsit kundër Atletico Madridit.
“Mes meje dhe tij nuk është i nevojshëm asnjë sqarim pas zëvendësimit kundër Milanit. Janë gjëra normale që ndodhin gjithmonë. Në Bergamo, me 99 për qind të mundësive nuk do të jetë”, ka thënë Sarri. E sigurisht, në vijim të përgjigjes për marrëdhënien e tij me Ronaldon, Sarri sqaroi: “Edhe kur luajnë diletantët ka gjëra të tilla në çastet e ndërrimeve. Unë vij nga vitet ’90 dhe ose do ta kaloja kohën duke sqaruar ose do të mësohesha me raste të tilla dhe do t’i lija futbollistët të shfrynin”.