Sarri: Nga Napoli u largova me zemër të thyer
Në prezantimin e tij në krye të skuadrës së re të Chelseas, Maurizio Sarri ka folur për largimin e tij nga Napoli, duke thënë se e ka vuajtur shumë këtë fakt, ndërsa thotë se faji i largimit të tij është i dyanshëm.
“Kam kujtime të mrekullueshme nga Napoli. I dua njerëzit atje dhe gjithmonë do t’i dua. Nëse jemi ndarë në mënyrë të keqe me klubin dhe presidentin, mendoj se gabimet janë bërë nga të dyja palët. Ndoshta presidenti e ka keqkuptuar heshtjen time… Mirëpo, mua më është thyer zemra dhe shpresoj që në vitet në vijim të tejkalohet kjo gjë”, ka thënë Sarri.
Sa i përket skuadrës së Chelseas dhe punës së tij, ai është shprehur se gjërat e mira të bëra nga Conte nuk do të preken, ndërsa shton se filozofia e tij e lojës është e ndryshme nga ajo e trajnerit tashmë të larguar.
“Antonio ka marrë rezultate të jashtëzakonshme këtu, ai është një trajner fantastik, por unë luaj në një mënyrë më ndryshe, prandaj do t’i kushtoj kohë skuadrës. Të gjitha gjërat e mira që Antonio i ka lënë prapa duhet të qëndrojnë, nuk duhet të ndryshohen, por është me rëndësi që të imponohet filozofia e trajnerit në një periudhë të shkurtër kohore”, ka shtuar Sarri.