Sarri nuk lejon tifozët ta kritikojnë Muriqin
Vedat Muriqi më 15 shtator të vitit 2020 u largua nga Fenerbahçe dhe për 18.5 milionë euro duke iu bashkuar Lazio.
Ishte hapi më i madh në karrierë për futbollistin e përfaqësueses së Kosovës, i cili pas një sezoni shumë të mirë në Turqi do të provonte në Serinë A. Përshtatja nuk ishte e thjeshtë edhe nga fakti se Muriqi e humbi muajin e parë tek Lazio sepse ishte i infektuar me koronavirus e më pas, dalëngadalë, u mundua të integrohej, por sërish e mbylli me pak gola të shënuar, vetëm 2 në 34 paraqitje.
U përfol për një largim të tij nga bardhekaltrit, por trajneri Sarri e përfshiu menjëherë si pjesë të projektit të tij dhe së fundmi e ka mbrojtur edhe më tepër sulmuesin 27-vjeçar.
Mësohet se gjatë një seance stërvitore në Auronzo di Cardore, aty ku Lazio po zhvillon fazën përgatitore, Sarri u është kthyer disa tifozëve, duke u thënë shprehimisht: “Nëse ju dëgjoj që kritikoni Muriqin, do t’ju nxjerr jashtë”. Pak fjalë, por shumë domethënëse, që tregojnë se ish-trajneri i Napolit e Juventusit e ka shumë në konsideratë gjigantin nga Prizreni dhe ekziston mundësia që ta aktivizojë edhe më tepër Muriqin, me shpresën që sezoni i ri të jetë më i mirë se ai i pari me fanellën e Lazios.