SATIRA KOHERENTE DHE ME VELRA ARTISTIKE

30 shtator 2021 | 22:46

(Sevdail Hyseni “Ëndrra në diell” shb “Lena” Prishtinë, 2021, fq. 67).

Bilall MALIQI

Sevdail Hyseni, njihet në opinion një satirik i mirënjohur shqiptar. Ai me satirat e tij shpreh ironinë e thellë, të metat, dobësitë e njerëzve, të cilat i përkasin përditshmërive tona në secilin rrafsh jetësor. Satiriku i njohur Hyseni, me mprehtësinë e tij prej një krijuesi  sheshon, thumbon mjeshtërisht përmes vargjeve poetiko-satirike, të cilat kanë guxim, forcë shprehëse dhe si të tilla janë shumë koherente dhe funksionale për shumë kohë, ashtu siç janë edhe satirat nga libri i tij i parë “Kur të qeshë fati”.

Në librin e tij më të ri, në të cilin poezitë janë të shkruara më herët, satiriku Hyseni na paraqitet me poezi të ndara në cikle, të cilat japin ngjyrime interesante për lexuesit, të cilët gjatë leximit të tyre futen thellë brenda ndodhive të këtyre satirave të qëlluara enkas për atë kohë kur janë shkruar, por dhe janë aktuale edhe për kohën më të re, pra në kohën në të cilën po jetojmë  me sfida të  shumta, të mbushur me raste jo të këndshme për popullatën nëpër rrafshe dhe situata të ndryshme, të cilat nganjëherë fare nuk janë as përsëafërmi të këndshme dhe të drejta për popullin tonë, e ato për fat të keq janë të lëshuara si të thuash si me porosi që nga lart por edhe nga poshtë, sikur të jetë një aleancë e zezë shtrirë në shiritin jetësor.

Libri “Ëndrra në diell”ndahet në këta cikle:/ Trille demokratike/, /Kur tremben mushkat/, /Ëndrra në diell/, /Meselera/ dhe /Çuçuritje/.

Së lexuari të librit para nesh na del një pasqyrë reale, sepse ne jemi dëshmitarë të asaj kohe të pakohë ku demokracia ishte vetëm fjalë, dhe në asnjë mënyrë me veprimet e tyre nuk e arsyetonin këtë term që e kishte kapluar vendin tonë, e që në vend të saj kishte trillime, gënjeshtra dhe të zeza të tjera, të cilat ishin bërë përditshmëri dhe këto të gjitha i mveshnin me petkun e demokracisë, dhe këto të bëma satiriku Hyseni përmes vargjeve të thella, të thukëta dhe të stërmbushura me mesazh i demaskonte, duke “qeshur” me këto veprime të djallëzuara të akterëve apo personazheve poetike që kanë brenda brumit poetik poezitë e librit.

Po sot si duken

Të lumet medet

E kanë humbur rrugën

Në oborr të vet”

Ata atëherë e patën humbur udhën në oborr të vet, por edhe sot njëjtë kanë humbur edhe derën dhe kanë ngelur brenda katër mureve të dështimit.

Për këtë le të na kujtohet thënia e Daniele Luttazzit:

“Satira është tregues i masës së demokracisë në një vend”.

Të tilla poezi që kanë petkun e “ngjarjeve” demokratike, autori i ka shtrirë gjithandej ciklit të parë, duke i shoshitur mirë ngjarjet që e kishin rumbullaksuar atë kohë Ballkanin me të gjitha vendet, të cilat për nga zhvillimet e demokracisë ishin gati të njëjta, prandaj autori i ka thumbuar me satira të mprehta, origjinale, më herët si Spica Metalike tani edhe me emër dhe mbiemër si një mjeshtër i vërtetë i këtij zhanri.

Edhe satirat e ciklit të dytë kanë fuqinë shprehëse, guximin, kondicionin artistik dhe guximin e autorit  të përballet me të papriturat nga ata që i ka mveshur me role negative dhe shprehet:

“Provo po deshe majën e Spicës

Yjëzit i sheh në pikë të ditës”.

Kur themi se satirat e Sevdail Hysenit janë koherente si në atë kohë kur janë shkruar, janë aktuale edhe në këtë kohë, sidomos në aspektin politik, pra të ndodhive politike të asaj kohe, të cilat sikur e kanë pluhurosur edhe kohën e sotme, prandaj autori duke e ditur mirë politikën e “drejtë” të Evropës karshi popullit shqiptar në përgjithësi shprehet:

“Me sa mend Evropës

I themi ashiqare

E kanë lënë veshët

Është shurdhuar fare”.

Cikli tjetër / Meselera/, ngjeshet me poezi humoristike, me të cilat lexuesi do të kënaqet së lexuari, sepse autori ka dashur që lexuesit t’i relaksojë me humor pas leximit të satirave të tjera të cilat sheshonin vese negative të shoqërisë së asaj kohe dhe të sotit. Kjo shihet sidomos te poezitë: / Pensioni/ dhe /Ka më keq/.

Libri përmbyllet me poemën /Kuvendi i grave/”, e cila është pjesë e ciklit të fundit /Çuçuritje/.

Në këtë poemë shumë të këndshme për lexim, jepet një tabllo reale e përditshmërive tona në aspektin shoqëror e familjar me të gjitha baticat dhe zbaticat në marrëdhënie burrë grua në përgjithësi.

Sevdail Hyseni i ka ngelur besnik satirës, e kultivon bukur, ka origjinalitetin dhe individualitetin e tij krijues në këtë fushë. Ai që nga libri i parë po ashtu me aforizma, ky që tani po e trajtojmë është i pranishëm shpesh me satira të shumta të cilat kanë peshë dhe art të veçantë si nga forcimi i vargut me shprehje të fuqishme, me rimëm po ashtu të fuqishme dhe me muzikalitetin që e bëjnë librin të dashur dhe të lexueshëm.  

Me këtë themi se libri me satira “Ëndrra në diell”, ka ngritje artistike në krahasim me librin e parë, duke u nisur edhe nga gjetjet motivuese deri te realizimi artistik i poezive të tij…

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Listes Guxo, Doarsa Kica, pjesë e grupit parlamentar…